Ambasadorja amerikane në Shkup: Presim hapjen e bisedimeve me BE-në!

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Kate Mary Byrnes në një intervistë dhënë shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës, thekson se vendi ka dëshmuar se është i përgatitur për konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, që Shtetet e Bashkuara ende shpresojnë se do të mbahet sa më shpejt.

Zonja Byrnes flet për dëshpërimin pas vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut në Këshillin Evropian. Ajo thotë se vetoja paraqet rrezik jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për BE-në, si dhe për çështjet që ndërlidhen me procesin e zgjerimit në tërësi.

E pyetur nëse pritet që administrata e re e Presidentit Joe Biden do të ushtrojë më tepër trysni ndaj Bullgarisë për ta tërhequr veton, Ambasadorja Byrnes përgjigjet se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në këtë rajon për dekada të tëra, dhe se në disa vitet e fundit janë përfshirë në mënyrë intensive në mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në NATO, në mbështetje të synimeve të saj për t’iu bashkuar BE-së, si dhe në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rajonal.

“Ky është thelbi i politikës sonë këtu dhe ka ende shumë punë për t’u bërë në aspektin e axhendës së reformave, si dhe për t’u siguruar që procesi i integrimit në BE po shkon përpara”, tha ajo.

“Është me rëndësi që bisedimet dypalëshe të vazhdojnë në ndonjë formë dhe mendoj se këtë e kanë parasysh të dyja palët. Shpresoj se ato bisedime do të vazhdojnë në mënyrë konstruktive dhe në interes të dy shteteve. Përveç kësaj, është me rëndësi që terreni të mbahet i përgatitur dhe të zhvillohen bisedimet për procesin integrues në BE. Jemi të inkurajuar që Portugalia ka theksuar se zgjerimi i BE-së në tërësi do të jetë përparësi edhe gjatë kryesimit të saj”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse vetoja bullgare krijon hapësirë për ndikim të jashtëm, në veçanti nga Kina dhe Rusia, ambasadorja Byrnes thekson se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë çfarë është e mundur për t’u siguruar që çështjet dypalëshe të zgjidhen përmes kanaleve bilaterale dhe që vullneti i mirë dhe përpjekjet e vazhdueshme që ndërmerr Maqedonia e Veriut për bisedimet me Sofjen të vazhdojnë në frymën pozitive, larg retorikës politike.

“Ka shtete të cilat nuk ndajnë vizione të njëjta për Maqedoninë e Veriut në Evropë dhe të cilat nuk ndajnë vlera (të njëjta) për Evropën, si një union i lirë dhe i bashkuar, ku ka paqe afatgjatë dhe qëndrueshmëri. Ato ndoshta do të shfrytëzojnë gjendjen për interesat e tyre strategjike. Është e qartë se Rusia dhe Kina nuk e ndajnë këtë vizion dhe kjo është një gjë që të gjithë duhet ta kenë parasysh”, tha ajo.

Në lidhje me vaksinat kundër COVID-19 që priten të arrijnë në vend dhe nevojën për t’i bindur qytetarët të vaksinohen, si dhe pengimin e përhapjes së dizinformimit lidhur me sigurinë e vaksinës, ajo thotë se dialogu i hapur me qytetarët dhe informacionet e sakta janë të rëndësishme për besimin e publikut.

“Duhet që qytetarët ta kuptojnë programin dhe të marrin vendime të bazuara mbi fakte. Përgjatë fazave të zhvillimit të vaksinës ka procedura që bëhen për sigurinë dhe ka një proces rigoroz të miratimit në Evropë dhe në Amerikë. Mendoj se njerëzit duhet ta kuptojnë rëndësinë e vaksinimit, së pari që të mbrohen personalisht nga sëmundja dhe së dyti që t’i mbrojnë anëtarët e familjes dhe të dashurit e tyre. Unë kam ndër mend të vaksinohem sapo të jetë e disponueshme vaksina dhe shpresoj se edhe të tjerët do ta bëjnë këtë”, thotë ambasadorja.

Lidhur me përgatitjet e Maqedonisë së Veriut për regjistrimin e popullsisë, ambasadorja amerikane Kate Byrnes shpreh kënaqësinë për miratimin e ligjit në parlament, si dhe që kaloi me mbështetjen e dy partive opozitare dhe koalicionit qeverisës.

“Ky është një hap i rëndësishëm. Maqedonia e Veriut nuk ka patur census pothuajse për 20 vjet dhe kjo është reflektuar në procesin e hartimit të politikave, sepse të dhënat e sakta mbi popullatën janë pjesë e rëndësishme për planifikimin e të ardhmes”, tha ajo.

Advertisement

Ambasadorja pret që qeveria të mundësojë realizimin e censusit nga profesionistë.

Në lidhje me krahasimet që bëhen në Shkup mbi sulmet e fundit ndaj Kapitolit në Uashington me ato të 27 prillit, 2017 ndaj Parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe ndëshkimet ndaj autorëve të sulmeve, ambasadorja thotë se vështirë se mund të bëhen krahasime, pasi sistemet e drejtësisë dhe proceset në të dy vendet janë mjaft të ndryshme. “Shtetet e Bashkuara i kanë dënuar sulmet e 2017-s këtu dhe pritën zhvillimin e hetimeve për personat e përfshirë në incidente, ngritjen e akuzave dhe gjykimin nga një gjyqësor i drejtë, i pavarur dhe i paanshëm”. Ajo thotë se ajo që ka parë këtu është se mjaft njerëz u akuzuan, se ka vendime gjyqësore për disa raste, ndërsa disa të tjerë akoma janë në proces.

Ambasadorja Byrnes nënvizon përpjekjet për realizimin e reformave në sistemin gjyqësor, parlajmërimet për pastrime dhe transparencë në gjyqësor, si dhe dixhitalizimin, dhe adresimin e problemeve me korrupsionin.

“Është me rëndësi që të ketë drejtësi për të gjithë, pavarësi gjyqësore, transparencë, një kod ligjor dhe etik që secili duhet ta respektojë. Kjo nuk është diçka që zbatohet vetëm një herë, por duhet të jetë një angazhim dhe proces, ashtu siç është në Shtetet e Bashkuara”, tha ajo.

Zonja Byrnes thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerët vendorë dhe komunitetin ndërkombëtar në mbështetjen e reformave të gjyqësorit dhe reformave të tjera si pjesë e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.

Ajo flet edhe për llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e politikanëve për të ngritur besueshmërinë e publikut. “Qytetarët duan të shohin përgjegjshmëri tek udhëheqësit qeveritarë dhe kjo duhet të jetë përparësi jo vetëm në programet por edhe në mesazhet politike”, thotë ajo.

Ambasadorja Byrnes nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa foli për synimet e Maqedonisë së Veriut, si vendi më i ri i NATO-s, për të qenë sa më e përgatitur për t’i kontribuar Aleancës. Ajo tha se me ministren e mbrojtjes ka biseduar për buxhetin e mbrojtjes dhe modernizimin e ushtrisë, teksa thekson rëndësinë që 2 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të shkojë për modernizimin e ushtrisë dhe 20 përqindëshi i tyre për shpenzimet.

Ambsadorja lë të kuptohet se Maqedonia e Veriut mund të zhvillojë mundësitë e stërvitjeve në poligonin ushtarak Krivollak, ku do të kontribuonte për mbajtjen e stërvitjeve rajonale dhe me këtë do të dëshmonte përkushtimin e saj për NATO-n./VOA

Advertisement
Advertisement

You May Also Like