Në janar të këtij viti janë regjistruar 26 raste të zgjebes, prej të cilave 16 në Shkup. Rastet nuk kanë qenë të lidhura mes vete, pra sëmundja nuk është paraqitur në formë epidemike. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik , vitin e kaluar është vërejtur një rritje e numrit të të prekurve nga zgjebja, me 493 raste të regjistruara, krahasuar me vitin 2023 kur kishte 337 raste. Numri më i madh i të prekurve në vitin 2024 është regjistruar në Shkup (182 raste), Kumanovë (108 raste) dhe Gostivar (101 raste).
Gjatë periudhës 2014-2023, viti me më shumë të infektuar ka qenë 2015 me 527 raste, ndërsa më pak raste janë regjistruar në vitin 2021, me gjithsej 151 të prekur.
Sipas IZH-së, zgjebja në Maqedoni paraqitet kryesisht te grupet sociale më të rrezikuara, si dhe në institucione me rrezik të lartë për përhapje, si shkolla, shtëpi të të moshuarve dhe ambiente të tjera kolektive.
Çfarë është zgjebja dhe si transmetohet?
Zgjebja është një infeksion parazitar i lëkurës, i shkaktuar nga marimanga mikroskopike Sarcoptes scabiei var. hominis. Ky parazit hyn në shtresën e sipërme të lëkurës dhe shumon aty, duke shkaktuar kruajtje të forta dhe irritim të lëkurës.
Zgjebja nuk është vetëm një shqetësim i zakonshëm, por mund të sjellë edhe komplikime serioze, si infeksione bakteriale të lëkurës, sepsë dhe sëmundje të zemrës apo veshkave. Në nivel global, mbi 200 milionë njerëz vuajnë nga kjo sëmundje në çdo moment, ndërsa në zonat tropikale të varfra, përqindja e fëmijëve të prekur mund të shkojë nga 5% deri në 50%.
Simptomat dhe format e zgjebes
Simptomat e zgjebes shfaqen zakonisht 4-6 javë pas infektimit dhe përfshijnë kruajtje të forta, veçanërisht gjatë natës. Shpesh, lezionet e para shfaqen në:• Hapësirat mes gishtave të duarve dhe këmbëve• Zonat e bërrylave dhe sqetullave• Pjesën e poshtme të barkut dhe zonën e ijeve• Te fëmijët, mund të shfaqen edhe në pëllëmbë, shputa dhe lëkurën e kokës.
Një formë më e rëndë e sëmundjes është zgjebja me kore, që shfaqet te personat me imunitet të dobësuar dhe karakterizohet nga zona të mëdha të thata dhe me luspa në lëkurë. Kjo formë është shumë ngjitëse dhe kërkon trajtim intensiv.
Si transmetohet zgjebja?
Zgjebja përhapet kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë lëkurë me lëkurë me një person të infektuar, si gjatë jetesës së përbashkët apo gjatë qëndrimeve në ambiente kolektive. Rrallëherë, ajo mund të përhapet edhe përmes rrobave ose shtretërve të ndotur.
Trajtimi dhe parandalimi
Për të parandaluar përhapjen e zgjebes, rekomandohet:• Shmangia e kontaktit të afërt me persona të infektuar• Larja e rrobave, çarçafëve dhe peshqirëve me ujë të nxehtë• Dezinfektimi i hapësirave ku ka qëndruar një person i infektuar
Trajtimi i zgjebes zakonisht bëhet me kremra ose locione që përmbajnë permetrin ose bencil benzoat, si dhe me ilaçin oral ivermektin në rastet më të rënda. Për të qenë efektiv, trajtimi duhet të përfshijë të gjithë anëtarët e familjes, edhe nëse nuk kanë simptoma.
Dje, ISHP njoftoi se në fshatin Romancë të Kumanovës është konfirmuar një rast i zgjebes, ndërsa tre raste të tjera janë të dyshuara.
ISHP me detaje për zgjeben: Janë regjistruar 26 raste, 16 prej tyre në Shkup
Advertisement
Advertisement
Advertisement