Qëndrimet mbi futjen e një jave pune katërditore në vend mbeten të ndara. Bizneset besojnë se ende nuk jemi të përgatitur për këtë ndryshim për shkak të nivelit të ulët të produktivitetit, ndërsa sindikatat vazhdojnë të kërkojnë shkurtimin e orëve të punës.
Sipas psikologes Mirjana Jovanovska Stojanovska, java katërditore e punës mund të jetë një goditje për ekonominë, veçanërisht në vendet më të varfra dhe më pak të zhvilluara, por ajo duhet të implementohet për mirëqenien e punëtorëve dhe për të ruajtur shëndetin e tyre mendor dhe fizik.
“Ende është herët për hapa të tillë, sepse ka reforma të tjera prioritare që duhet të realizohen në periudhën e ardhshme. Për të futur një javë pune katërditore, duhet të arrini një nivel maksimal efikasiteti, në mënyrë që të eliminoni ditën e pestë pa pasur pasoja në rezultate. Me një produktivitet kaq të ulët si në Maqedoni, implementimi i një jave katërditore pune do të ishte katastrofë,” – thotë për MIA kryetari i Unionit të Dhomave Ekonomike, Trajan Angeloski.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) është i vendosur: java e shkurtuar e punës nuk është vetëm një dëshirë e punëtorëve, por një mundësi reale. Ata rikujtojnë se gjatë negociatave për Ligjin e ri për Marrëdhëniet e Punës, janë angazhuar edhe për futjen e një jave pune 35-orëshe.
“Në disa vende të Evropës dhe botës tashmë janë kryer analiza dhe studime që kanë treguar se një javë pune më e shkurtër ndikon shumë më pozitivisht në motivimin dhe produktivitetin e punëtorëve dhe, rrjedhimisht, edhe në fitimet e punëdhënësve. Qëndrimi ynë është se, si një vend aspirant për anëtarësim në BE, duhet të përpiqemi për një javë pune me shtatë orë në ditë ose me katër ditë pune në javë, dhe jo të kthehemi pas në histori duke rikthyer shfrytëzimin e punëtorëve dhe duke futur një mesatare prej 12 orësh pune në ditë,” – theksojnë nga LSM
LSM u referohet edhe ekspertëve, të cilët theksojnë se punëtorët duhet të punojnë në një orar real të punës, brenda të cilit mund të kryejnë detyrat e tyre pa pasoja për shëndetin, pa rreziqe për lëndime apo humbje të jetëve njerëzore.
“Shprehim shqetësimin tonë se me rritjen e orëve dhe ditëve të punës në javë do të rritet rreziku i aksidenteve, lëndimeve dhe rasteve fatale në vendin e punës. Gjithashtu, kjo mund të rrezikojë aplikimin e Maqedonisë për anëtarësim në BE, pasi propozimet janë në kundërshtim me direktivat e BE-së për orarin e punës. Produktiviteti i punëtorëve lidhet me kushtet e punës, përdorimin e mjeteve dhe teknikave moderne të punës, teknologjitë bashkëkohore, kushte të shëndetshme dhe të sigurta pune, pagë të përshtatshme, respektimin e parimeve të punës së denjë, të drejtën për pushim dhe kujdesin për familjen. Vetëm në këtë mënyrë, punëtorët mund të jenë të përkushtuar në punë dhe besnikë ndaj punëdhënësve. Në të kundërtën, po bëhemi dëshmitarë të një ikjeje gjithnjë e më masive të fuqisë punëtore nga vendi” – theksojnë nga LSM.
Ata nënvizojnë se përdorimi i komunikimeve elektronike, digjitalizimi dhe teknikat dhe teknologjitë e reja në proceset prodhuese rrisin efikasitetin në punë, duke krijuar një bazë reale për uljen e javës së punës në 35 orë.
“Nevojiten ndryshime ligjore, harmonizimi i legjislacionit të punës me standardet evropiane dhe ndërkombëtare të punës. Kjo mund të arrihet përmes përmirësimit të dialogut social, promovimit të organizimit sindikal dhe përfshirjes aktive të sindikatave në krijimin e strategjive dhe politikave kombëtare për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror” – përfundon LSM.
Idenë për një javë pune katërditore po e afron me të drejtat e njeriut të mbrojtura nga aktet ndërkombëtare. Psikologia Jovanovska Stojanovska thekson se shumicën e viteve të punës së aftë, njerëzit e dedikojnë për punë, duke lënë pak kohë për jetën familjare, për edukimin dhe dashurinë e fëmijëve, për kujdesin për shëndetin mendor dhe fizik.
“Java katërditore do të jetë një goditje e madhe për ekonominë, veçanërisht në vendet më të varfra dhe më pak të zhvilluara, por do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit të gëzojnë jetën e tyre. Nëse kemi akte të njohura ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut, duhet t’i respektojmë ato. Por, për fat të keq, interesat politike dhe ekonomike shpesh fituan mbi interesat e njerëzve. Si psikologe, unë rekomandoj që të futet java katërditore për mirëqenien e punëtorëve, për ruajtjen e shëndetit të tyre mendor dhe fizik dhe për shëndetin e familjeve të tyre” – shprehet Jovanovska Stojanovska.
Përqindja e punonjësve në Evropë me kohë të shkurtuar pune është mbi 17%.
Qeveria e Spanjës, në marrëveshje me sindikatat, por pa mbështetje nga shoqatat më të mëdha të punëdhënësve, miratoi uljen e javës së punës nga 40 në 37,5 orë pa ulur pagat. Këshilli i Ministra i miratoi një projekt-ligj në 5 shkurt 2025, të cilin sindikatat e mëdha, CCOO dhe UGT, e përshkruan si një masë historike që mund të përfitojnë deri në 12 milionë punëtorë.
Në mënyrë eksperimentale, Gjermania ka zbatuar një javë pune katërditore pa ulur pagat që nga 1 shkurti 2024. Ky proces përfshiu 45 kompani dhe organizata, dhe rezultatet kanë qenë të ndryshme.
Një eksperiment i ngjashëm ka pasur vend edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku u përfshinë 2,900 punonjës nga sektorët financiar, IT, ndërtimi, tregtia online, animacioni, marketingu dhe restorantet e shpejta. Sipas kërkuesve të Kembrixhit dhe Bostonit, ditët e sëmundjes u ulën me rreth dy të tretat, dhe pothuajse 40% e punonjësve thanë se ndienin më pak stres. U ul gjithashtu numri i punonjësve që dhanë dorëheqjen për 57%, dhe pati një rritje mesatare të shitjeve me rreth 1,4%. Gjithsej, 56 nga 61 kompanitë pjesëmarrëse thanë se dëshironin ta mbajnë javën katërditore edhe pas fazës eksperimentale.
Ka njoftime edhe nga Tokio për futjen e një jave pune katërditore. Në dhjetor të vitit të kaluar, guvernatorja e Tokios njoftoi se do të futet një javë katërditore pune për punonjësit e administratës së kryeqytetit japonez, si pjesë e përpjekjeve kombëtare për të inkurajuar lindjet.
Informacione për projekte pilot për uljen e javës së punës ka edhe në Kanada, SHBA, Australi, Zelanda e Re, Islandë, Irlandë dhe shumë vende të tjera.
Ekspertët në Maqedoni rekomandojnë vendosjen e javës së punes katërditore, bizneset thonë se nuk jemi të përgatitur
Advertisement
Advertisement
Advertisement