600 specializantëve privat nuk u paguhen kujdestaritë! Taravari: Presim t’u japim vendime gjatë vitit 2025

Ishte ndër më të zëshmet për të drejtat e specializantëve privatë, por tani që u kreu specializimin mbeti e pa punë. Aleksandra Georgievska, është njëra nga 600 specializantët që kanë paguar privatisht për të kryer studimet post-diplomike në Fakultetin e mjekësisë, por thotë se autoritetet i kanë lënë pa vendime pune. Sipas saj, të gjitha punësimet po bëhen në baza partiake, ndonëse janë kategoria më e rrezikuar për të ikur në Perëndim si specialistë, por shumë të nevojshëm në vendlindje. Ajo shprehet se përveç pagave minimale, specializantëve privat nuk u paguhen as kujdestaritë tani e 6 muaj. Ky reagim i saj vjen pasi Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se 20 institucione publike shëndetësore kanë përgatitur sistematizime të reja dhe mundet menjëherë që t’i punësojnë 300 specializantët privat nga grupi i parë, mes tyre më së shumti kardiologë dhe gjinekologë, 30 prej tyre vetëm në Shkup. Por, punësimet e 600 specializantëve privat është dashur të kryhen në fund të vitit që shkoi, pasi më 30 dhjetor 2024 Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave miratuan punësimet në Qeveri. Por, në praktikët ky afat tani është shtyrë në dy faza gjatë këtij viti, duke ua lënë barrën vetë spitaleve që t’i sistematizojnë. Kërkuam përgjigje nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor përse nuk paguhen kujdestaritë e specializantëve privat, të cilët mbajnë turnet e natës për 1,800 denarë dhe të fundjavave për 2,100 denarë. Nga Fondi u përgjigjen që ata i kanë lëshuar të gjitha mjetet tek spitalet dhe klinikat përkatëse duke i llogaritur edhe kujdestaritë e specializantëve privat, por akoma nuk kemi marr përgjigje përse ato pagesa kanë ndaluar së paguari tani e 6 muaj. Përndryshe, sipas Odës së mjekëve, çdo vit emigrojnë rreth 250 mantelbardhë, shifër kjo e barabartë me një gjeneratë të tërë të doktorëve, të cilët diplomojnë në nivel vjetor. Shqetësues është fakti që ikin edhe doktorët me përvojë, për të cilët shteti ka investuar shumë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *