45 civilë të masakruar: Asnjë dënim për Reçakun!

Estimated read time 4 min read

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë më 15 janar, 1999, ishte pjesë e aktakuzës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë ndaj Sllobodan Millosheviqit, Millan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit, Dragolub Ojdaniqit dhe Vllajko Stojilkoviqit.

Gjykata i akuzonte këta persona për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë në Kosovë, ndërsa në mënyrë specifike përmendej vrasja e së paku 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.

Më 15 janar, 1999, ose rreth kësaj date, në orët e hershme të mëngjesit, fshati Reçak, Komuna e Shtimes, u sulmua nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe të Serbisë. Pas granatimeve nga njësitë e Ushtrisë Jugosllave, policia serbe hyri në fshat në mëngjes dhe filloi të kryente kontrolle shtëpi më shtëpi. Fshatarët, të cilët tentuan t’i iknin policisë serbe, u qëlluan në të gjithë fshatin. Një grup prej rreth 25 burrash tentuan të fshiheshin në një ndërtesë, por u zbuluan nga policia serbe. Ata u rrahën dhe më pas u dërguan në një kodër aty pranë, ku policët i qëlluan dhe i vranë. Në total, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë vranë afërsisht 45 shqiptarë të Kosovës në dhe rreth Reçakut, thuhej në aktakuzë.

Ish-presidenti i Serbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, gjatë gjykimit në Hagë, ftoi dhjetëra dëshmitarë për të dëshmuar se masakra që ndodhi në Reçak “ishte e sajuar” dhe se “të vrarët, që të gjithë, ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se ata ishin vrarë në shkëmbim zjarri me forcat serbe.

Millosheviq vdiq pak kohë para se Gjykata e Hagës të merrte vendim për akuzat me të cilat ngarkohej.

Mes tjerash, ai akuzohej për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës.

Më 26 shkurt, 2009, u shpall aktgjykimi për ish-presidentin e Serbisë, Millan Millutinoviq. Ai u lirua nga të gjitha akuzat.

Gjykata nuk është e bindur përtej dyshimit të arsyeshëm se Millan Millutinoviq ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, deklaroi gjyqtari i Gjykatës në Hagë, Iain Bonom.

Ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Nikolla Shainoviq, gjenerali i ish-Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, dhe ish-shefi i policisë serbe, Sreten Llukiq, u dënuan secili me nga 22 vjet burgim për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.

Gjenerali i ish-Ushtrisë Jugosllave, Vlladimir Llazareviq, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të kësaj ushtrie, Dragolub Ojdaniq, u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në dëbimin dhe transferimin me forcë të shqiptarëve etnikë nga Kosova dhe u dënuan me nga 15 vjet burgim.

Advertisement

Megjithatë, nuk u dënuan për përgjegjësi të drejtpërdrejtë në vrasjen e 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.

Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, si dhe hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Reçaku u hoq nga rasti ndaj Millutinoviqit dhe të tjerëve, për shkak se masakra atje kishte ndodhur para se të shpallej gjendja e luftës dhe para se të niste konflikti i armatosur ndërkombëtar.

Ky konflikt nisi më 24 mars, 1999, në ditën kur NATO-ja filloi bombardimet mbi caqet e ushtrisë serbe, me qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë.

Përgjegjësia në lidhje me masakrën e Reçakut përmendet në aktvendimin dënues të Gjykatës së Hagës për gjeneralin e policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, i cili u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës: për dëbim të dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës, zhvendosje të dhunshme, vrasje, tranportim të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi, përndjekje racore të shqiptarëve të Kosovës dhe shkelje të ligjeve dhe traditave të luftës.

Në dokumentet e Gjykatës së Hagës thuhet se Gjorgjeviq luajti rol udhëheqës në përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për të fshehur vrasjen e 45 civilëve në Reçak, në janar të vitit 1999.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like