Zaev: Keqardhje për emocionet negative të shkaktuara nga intervista ime në “BGNES”

Kryeministri Zoran Zaev ka shprehur keqardhje për emocionet negative, siç tha, të shkaktuara nga intervista e tij për agjencinë bullgare BGNES, por vazhdon të mbrojë qëndrimin se duhet të ndryshohet fjalori dhe në vend të “okupatori fashist bullgar” si deri më tani ka qëndruar në librat e historisë për fillimin e Luftës së Dytë Botërore në Maqedoninë e Veriut, të përdoret vetëm “okupatori fashist”. Këto janë një pjesë e angazhimeve në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, thekson Zaev, dhe mënyrë për të ardhmen evropiane të vendit. Opozita i bën thirrje kryeministrit të kërkojë falje, ndëra për sot pasdite ka organizuar protesta në Shkup.

Reagimet në nivele të ndryshme e kanë detyruar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, që herët në mëngjes t’i sqarojë qëndrimet e tij të shprehura dje në intervistë për agjencinë bullgare BGNES, të cilat këtu u vlerësuan si skandaloze dhe nënçmuese për popullin maqedonas. Pohimi i tij se ushtria bullgare gjatë Luftës së Dytrë Botërore ka qenë në rolin e “administratës” dhe jo të “okupatorit”, siç gjërësisht konsiderohet në vend, si duket është një nga lëshimet kundrejt fqinjëve, në përpjekje për zbutjen e qëndrimit për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.

 ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

“Sot të flisni për Bullgarinë fashiste, për Gjermaninë fashiste, të flisni për një komb të tërë, për gjeneratat e sotme si rezultat i një pjese të paraardhësve që e kanë bërë atë, ky nuk është vision drejt të ardhmes. Për këtë arsye çështja është a do t’i përdorim fjalët e vërteta që të ndërtojmë miqësi, ura të bashkëpunimit ose jo.”

Ky fjalor i ri tashmë po zbatohet, në tabelat e përmendoreve të asaj periudhe historike, edhe pse Zaev nuk sqaroi me çfarë vendimi dhe në cilat lokacione.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

“Në një pjesë të pllakave ku ka qenë e shkruar dora fashiste bullgare, plumbi fashist bullgar, është lënë “dora fashiste, plumbi fashist” ose të ngjajshme. Për këtë arsye them të mos harrojmë, por duke falur të kemi kujdes. Gjithsesi se kjo është bërë në gjithë territorin e shtetit, në shumë vende, për pjesën më të madhe kompetente janë vetë komunat, bëhet fjalë për vende përkujtimore, në pajtueshmëri me Marrëveshjen për miqësi me Bullgarinë.”

Zaev shprehu keqardhje për “emocionet negative”, siç i quajti qindra reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale, por edhe të historianëve dhe akademikëve, duke shtuar se rolin e tij si lider i vendit e sheh edhe në hapa të këtillë që i mposhtin armiqësitë dekadëshe në të dyja anët e kufirit. Në intervistë për Dojçe Vele, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka reaguar si për vlerësimin e Zaev për BGNES se ai është “politikan me më pak përvojë”, ashtu edhe për pohimin se Maqedonia e Veriut ka histori të përbashkët me Bullgarinë.

Advertisement
STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT I RMV-së

“Disa figura dhe ngjarje mund të nderohen nga të dyja palët, por populli maqedonas ka historinë e tij të veçantë, ashtu si populli bullgar ka të tijën. Në të njëjtën kohë, në të gjitha fjalimet e mia publike e kam thënë qartë se lufta antifashiste është në themelet e shtetit bashkëkohor maqedonas, ndërsa në atë luftë kemi luftuar kundët atyre që ishin në anën e fashistëve. Përvoja ime 20 vjeçare në politikën ndërkombëtare më mundëson që në mënyrë të saktë t’i mas fjalët dhe qëndrimet që i shpreh. Kontesti maqedonas-bullgar mund të zgjidhet vetëm nëse respektohet dinjiteti i popullit maqedonas dhe popullit bullgar dhe me shmangien e grackës së revizionizmit historik, i cili në vend që të bazohet në fakte, bazohet në konstruksione politike.”

Opozitarja VMRO-DPMNE i bëri thirrje kryeministrit Zaev t’i kërkojë falje popullit maqedonas.

VLADO MISAJLOVSKI, VMRO-DPMNE

“Publikisht i bëjmë thirrje Zaevit të tërhiqet nga deklaratat e tij të dëmshme dhe të kërkojë falje për shkak të qëndrimit të tij mohues ndaj heronjve tanë. Të ketë kujdes për çfarë e me kë bisedon dhe negocion. Kjo për të cilën tani flet Zaev është bastioni i fundit në të cilin prehet identiteti ynë. Të ndalojë vardisjen me politikanët bullgarë.”

Këtë pasdite opozita ka bërë thirrje për protestë, duke i quajtur mbipartiake, që Qeveria të përgatitet “t’i shkelë vijat e kuqe maqedonase”, shtoi Misajlovski. /KlanMacedonia

Advertisement
Advertisement

You May Also Like