Von der Leyen në Beograd: Serbia të njohë Kosovën dhe të zbatojë marrëveshjet ekzistuese

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje Serbisë gjatë një vizite në Beograd të martën që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura deri tani mes saj dhe Kosovës.

Duke folur në një konferencë për media pas takimit me presidentin Vuçiç, Leyen tha se “sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm, autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi. Është vendimtare që të dyja palët të angazhohen dhe të ndjekin rrugën e normalizimit.“

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, duke e vrarë një polic. Gjatë konfliktit u vranë edhe tre sulmues serbë. Leyen theksoi se është e rëndësishme që Serbia të mbështesë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe që Kosova ta zbatojë atë.

“Përveç kësaj, Serbia duhet të fillojë t’i zbatojë marrëveshjet ekzistuese dhe të mos humbasë kohë për këtë”, tha Leyen.

E pyetur se si mund të kërkohet nga Serbia që ta njohë de facto Kosovën, nëse 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Leyen tha se bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila u arrit në mars në Ohër mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësimin e BE-së.

Advertisement

Gjatë vizitës në Prishtinë të hënën, Leyen nënvizoi se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia de fakto ta njohë Kosovën. Ajo shpjegoi në Beograd se Marrëveshja e Ohrit parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë, për shembull, njohjen e dokumenteve të Kosovës nga Serbia.

Advertisement
Advertisement