Taravari për mungesën e terapisë në Onkologji: Prej presioneve u jepet terapi pacientëve edhe ku nuk duhet

Taravari për mungesën e terapisë në Onkologji: Prej presioneve u jepet terapi pacientëve edhe ku nuk duhet

Ilaçe për pacientët me kancer nuk kanë munguar asnjëherë, por deficit ka në terapinë biologjike, që e marrin një kategori e caktuar e pacientëve, u shpreh Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, në Daily Click. Sipas tij kjo ndodh për shkak se ka mangësi në organizim, në Klinikën e Onkologjisë dhe për shkak të mungesës së regjistrit të të sëmurëve onkologjikë. Taravari e pranon se shpesh terapia jepet nëpërmjet lidhjeve edhe për pacientë që nuk kanë nevojë.

“Për shembull kemi shpenzuar para të njëjta si vitin e kaluar për terapi biologjike, bilës pak më shumë jo më pak, por mungon, mungon sepse paraqitet kërkesë e tepruar e pacientëve dhe ne nëpërmjet lidhjeve, nëpërmjet njerëzve të caktuar, për pacientë të caktuar ku duhet e ku nuk duhet, jemi të detyruar prej presioneve të ndryshme t’u jepet pacientëve terapi biologjike, ndoshta edhe në ndonjë vend ku ndoshta nuk ka nevojë… tani kemi vendosur që terapia biologjikë të shkruhet gjithnjë me konzolium mjekësor”, tha Arben Taravari.

Raporti revizor i vitit të kaluar ka treguar se numri i pacientëve me kancer që trajtohen në Klinikën e Onkologjisë është në rritje të vazhdueshme. Nëse në vitin 2021 ka pasur 15.892 pacientë, në vitin 2023 trajtim kanë kërkuar 17.196 pacientë, apo 1.300 pacientë më shumë. Këtë e konfirmon edhe i pari i Shëndetësisë, i cili shton se kjo është arsye shtesë për mungesë terapie.

-Kjo domethënë se po rritet numri i kërkesës për këtë terapi, kjo nënkupton se po rritet edhe numri i të diagnostikuarve?
-Absolutisht po, fatkeqësisht…
-Si rezultat i?
-Nuk mund të them sigurt por në Maqedoni po rritet numri i pacientëve me tipa të ndryshmëm të kancerit dhe kërkesa për terapi onkologjike është gjithnjë e më e madhe, jo vetëm në Onkologji por edhe në Hematologji edhe për sëmundjet e rralla fatkeqësisht…

Përndryshe ka 10 ditë që Mungon terapia biologjike për pacientët onkologjik dhe në vend të kësaj pacientët marrin tjetër terapi thotë Taravari, ai premton që këtë javë do të sillet terapia dhe do të krijohet regjistër I pacientëve, për të mos pasur më probleme të këtilla.