“UÇK, ushtria dhe emblemat e UÇK-së për këtë shtet nuk vlejnë asgjë.”
Kjo deklaratë e ministres së arsimit Vesna Janevska ngjalli reagime të shumta si nga pushteti ashtu edhe nga opozita shqiptare. Deputeti Blerim Bexheti tha se kjo nuk është hera e parë që ministrja Janevska fyen shqiptarët.
“E gjithë kjo sjellje arrogante dhe fyese e Ministres së Arsimit që nuk është hera e parë. Ku për të njëjtën çështje favorizon komitët për shkollat maqedonase, kurse për fëmijët shqiptar që për festa kanë përgatitur shfaqje teatrale dhe recitime. Ajo është kujdesur si të jetë e caktuar në qeveri kujdestar për t’i ndjek të gjitha këto sjellje. Sigurisht që këto fyerje ndaj shqiptarëve ishin edhe në të kaluarën ndaj administratorëve shqiptar”, tha Blerim Bexheti.
Fatmir Limani Nga radhët e Koalicionit VLEN, Ministër i Politikës Sociale Fatmir Limani tha se historia nuk mund të shlyhet dhe se UÇK ka qenë pjesë e ndryshimeve rrënjësore për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve.
“Unë babën e kam dëshmor! Nuk shlyhet historia. Do të duhej të ishte më e matur në këtë drejtim, ngase në pjesën e dytë të paraqitjes saj e përmendi se sa nëna në dyja anët janë të djegura nga rasti i luftës të 2001, por megjithatë do ta lej në nivelin e saj. UÇK-ja nuk shlyhet si histori. Edhe ne anëtarët ose pjesa përbërëse e themelimit të saj, edhe nëse dëshirojmë ta shlyejmë historinë e saj nuk do të arrijmë”, deklaroi Fatmir Limani.
Dje ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se nxënësit nëpër shkolla gjatë festës së flamurit kanë mbajtur uniforma të UÇK-së dhe lodra armë plastike, në manifestimet e 28 Nëntorit, si në Çellopek, Çair, Tetovë dhe Strugë. Ajo inicoi Inspektoratin Shtetëror të Arsimit do të zbardh këto raste. Por, një rast i ngjashëm si shfaqje teatrale ka pasur në komunën e Aerodromit, ku nxënësit janë veshur si komitë, gjë e cila për ministren Janevska ata janë pjesë e historisë së shtetit, duke shtuar se edukatorja e atyre fëmijëve është përjashtuar nga puna dhe është në gjyq.