SHBA po armatos Europën, shitje rekord të armatimeve mes frikës për sulme nga Rusia

Estimated read time 2 min read

Europa po armatoset deri në dhëmbë, me municionet amerikane. Shitja e armatimeve të Shteteve të Bashkuara përtej detit, u rrit ndjeshëm vitin e kaluar, duke arritur një rekord prej 238 miliardë dollarësh teksa lufta ruse në Ukrainë solli bum kërkesash.

Qeveria amerikane negocioi drejtpërdrejtë 81 miliardë dollarë shitje, 56 përqind më shumë se në vitin 2022. Siç bëri me dije Departamenti Amerikan i Shtetit, pjesa tjetër ishin shitje direkte nga kompanitë e mbrojtjes në SHBA për vendet e huaja.

“Transfertat dhe tregtia e armëve janë një mjet i rëndësishëm i politikës së jashtme të SHBA me potencialin e ndikimeve afatgjatë për sigurinë rajonale dhe globale”, tha DASH.

Fqinji i Ukrainës, Polonia, e cila ka nisur fushatën për të zgjeruar ushtrinë, ka bërë disa prej blerjeve më të mëdha. Varshava thuhet të ketë siguruar helikopterë Apash prej 12 miliardë dollarësh dhe ka paguar gjithashtu 10 miliardë për sisteme raketore Himars, e 3.7 miliardë për tanket Abrams.

Advertisement

Kryeministri Donald Tusk, është zotuar të vijojë programin e modernizimit ushtarak të nisur nga administrata paraardhëse, që synon të shndërrojë Poloninë në forcën më të fuqishme tokësore në Europë.

Gjermania sakaq, ka shpenzuar 8.5 miliardë dollarë për helikopterë Chinook. Bullgaria pagoi Shtetet e Bashkuara 1.5 miliardë dollarë për pajisjet e blinduara Stryker, ndërsa Norvegjia bleu helikopterë shumë funksionalë prej 1 miliardë dollarësh.

Shitjet morën hov edhe për shkak të refuzimit të vendeve për t’u furnizuar nga Rusia, që për dekada ka qenë furnizuesja e dytë pas Shteteve të Bashkuara./a2cnn

Advertisement
Advertisement

You May Also Like