Kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela ka thirrur për të shtunën mbledhje të Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, në të cilën ai do të kërkojë përgjegjësi nga kryetari, Arben Taravari. Sela i ka drejtuar akuza të rënda Taravarit, duke thënë se ai po mundohet që të përçajë partinë dhe se, në dy muajt e fundit nuk i ka thirrur organet e larta partiake, si dhe ka shtuar se, partisë nuk i duhet “kryetar rrjetesh sociale”, shkruan Portalb.mk.
“Po bëhet një lojë shumë e ndyrë nga kreu i partisë në kurriz të mundit, djersës, sakrificës së gjithësecilit anëtar të Aleancës për Shqiptarët duke ju bërë debate, a jeni për këtë ose për atë opsion, a jeni për të shkuar në koalicion me BDI-në apo opozitën, e gjithë kjo me një qëllim të vetëm e qëllimi është që t’i ndajë në bindje, të krijojë përçarje… Ditën e shtunë, aq sa edhe statusi i partisë më lejon, thirret Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët, unë si kryetar i saj me të drejtën satutore, me të drejtën që ma jep statuti kam të drejtë që ta thërrasë Kuvendin e partisë, në të cilin do të vendoset përpara përgjegjësisë kryetari i partisë, i cili ka dy muaj që nuk i ka thirrur organet e partisë, nuk është thirrë kryesia e ngushtë, nuk është thirrë kryesia qendrore e partisë dhe normalisht, sipas radhës së gjërave, fillimisht, çdo vendim, çdo ofertë e gjithçka edhe për negociata me parti politike, individi, pa marrë parasysh pozicionin që ka brenda një organi partiak i propozon organet i cili ka të drejtën që të marrë vendim”, tha Sela.
Ai më tej ka sqaruar se, kjo nënkupton që do të kërkohet shkarkimi i Taravarit, por edhe të dy ministrave të ASH-së, që mbështesin Taravarin.
“Aleanca për Shqiptarët ka ardhur koha që të kthehet në trungun e saj. Emra të cilët ju i përmendët janë të huaj, i pranuam krahë hapur, por kishin ardhur me qëllime të huaja. Nuk do ta tolerojmë këtë. Aleanca do të kthehet në trung dhe secili që ka keqpërdor pozicionin që ia kanë dhënë votuesit, për të shantazhuar anëtarët e Aleancës, do të përballet me përgjegjësi. Kur nuk e din vendin që të takon në një shtëpi të re ku ke shkuar, është detyrë që ata të largohen prej shtëpisë”, deklaroi Sela.