Po presin drejtësi dhe liri nga burgu i Idrizovës

Estimated read time 3 min read

Burhan Nuhiju dhe Agim Islami janë dy të dënuarit në burgun e Idrizovës që po presin drejtësi dhe liri, pasi që sipas tyre janë viktima të montimeve monstruoze të sistemit në këtë vend, përcjell INA.

Ata edhe përmes një porosie të përbashkët bëjnë thirrje për drejtësi dhe lirimin e tyre.

Burhani tanimë 19 vite po vuan dënimin në qelitë e Idrizovës, ndërsa Agimi ka mbushur 16 vite.

Ramiz Dauti, familjar i të dënuarit Agim Islami në rastin “Alfa”, thotë se zvarritjet në procedurën e kërkesës për rigjykim në këtë rast po vazhdojnë.

Dauti thotë se kërkesa bashkë me ekspertizën janë në Gjykatën Themelore Shkupi I dhe nuk po merren parasysh. Dauti thotë se autoritetet nuk kanë përgjigje të saktë për vonesat, ndërkaq kërkon që rastin ta marrin me më tepër seriozitet.

“Asnjëherë nuk kemi një përgjigje të saktë. Edhe pse 16 muaj e ka vonuar Gjykata e Apelit vendimin e lëndës, pastaj 6-7 muaj edhe Gjykata Supreme, tash 2 muaj u bënë edhe në Gjykatën Themelore, kështu në të gjitha adresat ku ne drejtohemi janë pa përgjigje konkrete, zvarritjet vazhdojnë vazhdimisht dhe kjo është arsyeja e cila unë po mendoj që duhet të merren më me seriozet me këtë punë për shkak që vet jam dëshmitar edhe prej fakteve dhe argumenteve që kemi dhe mendoj se nuk ka kohë për zvarritje kjo punë. Agimi i bëri 16 vite në burg pa asnjë faj, Rexhail Qerimi vdiq duke pritur drejtësinë dhe unë mendoj që është koha kur duhet të veprohet tash”, deklaroi Dauti për TV21.

Burhani i dënuar me burgim të përjetshëm, 19 vite po kërkon drejtësi: Ma montuan rastin!

Burhan Nuhija i njohur si Burhan Poroj nga Poroji i Tetovës po mbush gati 19 vjet në burgun e Idrizovës, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një të riu maqedonas në lagjen Drenovec të Tetovës, derisa po lozte basketboll me fëmijët e lagjes.

Advertisement

Burhani kërkon drejtësinë dhe pafajësinë, pasi që dëshmitë dhe provat e ofruara flasin se Burhani nuk ka lidhje me vrasjen që ndodhi më 19 tetor 2002 në lagjen Drenovec të Tetovës, disa muaj pas përfundimit të luftës së 2001.

Avokatët e tij thonë se kjo lehtësisht dëshmohet edhe përmes dhjetëra dëshmive dhe provave që dëshmojnë se Burhani se është i pafajshëm.

Burhani thotë se është proces i montuar ndaj tij si ish-pjesëtar i UÇK-së, dhe se rasti i tij është pjesë e montimeve të shërbimeve sekrete.

“Dihet botërisht se ne si shqiptarë nuk ngremë gisht ndaj fëmijëve, por është rast i montuar klasik. 19 vite po vuaj padrejtësish. Shendeti po më dobësohet. Kërkoj drejtësi sepse jam i pafajshëm si ish-ushtarë i UÇK-së. Askush nuk jep llogari sikur nuk dhanë për rastin Alfa ku vdiq Rexhail Qerimi. Ka edhe shumë raste të montuara…”, rrëfen Burhani.

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme, ata mbeten në qeli, duke kërkuar vazhdimisht zbulimin e së vërtetës.(INA)

Advertisement
Advertisement

You May Also Like