BDI ka informuar zyrtarisht Bashkimin Europian, SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mbi, siç kumtojnë, shqetësimet e thella për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit. Në letër, integristët theksojnë ndarjen e vetëm 12% të buxhetit për projekte kulturore shqiptare; si dhe për situatën të cilën e quajnë alarmante në mbrojtje dhe siguri, duke cekur se asnjë shqiptar nuk është në mesin e 10 drejtorëve të drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes, asnjë në mesin e 29 udhëheqësve të njësive brenda ministrisë dhe vetëm 1 mes 12 këshilltarëve kryesorë të ministrisë. “Me këtë po rrezikohet struktura multietnike e shtetit. BDI u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut, që të trajtojnë këto shqetësime përpara se të bëhen strukturore dhe të vështira për t’u rikthyer”, tha BDI. Këto shqetësime BDI i ndau dje përmes një konference për media në të cilën foli Talat Xhaferi. Nga këtu u kërkua ndërprerja e diskriminimit, depolitizimi i Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Nëse kjo situatë vazhdon, Xhaferi tha se pasojat do të jenë të rënda, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për stabilitetin dhe funksionimin profesional të Ushtrisë si institucion shtetëror.Akuzat i hodhi poshtë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, nga ku thanë se në mënyrë më profesionale dhe të përgjegjshme e respektohet parimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të të gjitha komuniteteve.“Ministria e Mbrojtjes është aktualisht në proces riorganizimi të brendshëm strukturor, ndaj dhe gjetjet janë interpretuar në mënyrë arbitrare dhe dhënë në mënyrë të përgjithshme. Deputeti Xhaferi me vetëdije po shpërndan dezinformata edhe pse e di shumë mirë se që nga ndryshimi i pushtetit në vend në fund të qershorit 2024, asnjë pjesëtar i komunitetit etnik shqiptar nuk është ndryshuar, degraduar apo diskriminuar në përputhje me sistematizimin e ri në Ministri”, tha Ministria e Mbrojtjes. Të pyetur rreth akuzave të integristëve, nga koalicioni shqiptar në qeveri VLEN thanë se BDI po të kishte punuar siç duhet për përfaqësimin e shqiptarëve, sot ata nuk do të ishin përballur me këto çështje, të cilat nuk mund t’i zgjidhin për 7 muaj qeverisje.
“Përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet kyçe”! BDI ndërkombëtarëve: Trajtoni shqetësime para se të bëhen të pakthyeshme
Advertisement
Advertisement
Advertisement