Për hapjen e çerdheve ndërhyn kryeministri, shkaku i Limanit, Mickoski u kërkon falje banorëve të Haraçinës dhe Likovës

Për hapjen e çerdheve ndërhyn kryeministri, shkaku i Limanit, Mickoski u kërkon falje banorëve të Haraçinës dhe Likovës

Që të jepte nënshkrim për punësimet në çerdhen e Haraçinës, ministri Fatmir Limani donte që kryetari i Komunës së Haraçinës t’i kërkojë falje pasi e quajti ministër jolegjitim, por ai që kërkoi falje për këtë deklaratë të Limanit ishte shefi i tij në Qeveri, Hristijan Mickoski.

Kryeministri tregoi se për këtë në mëngjes ka folur me Limani dhe siguroi se që sot shefi i kabinetit të ministrit do të komunikojë me administratën e komunës së Haraçinës dhe Likovës për ta tejkaluar këtë çështje, pasi miratimet tashmë janë dhënë.

“Ndërsa unë banorëve të këtyre dy komunave, u kërkoj falje në emrin tim për shqetësimet. Fëmijët janë prioriteti ynë i parë dhe politika e kësaj qeverie është në këtë drejtim. Po, ka kryetarë të papërgjegjshëm të komunave me deklarata të papërgjegjshme, por kjo nuk duhet të jetë pengesë, andaj unë që sot ju siguroj se shefi i kabinetit të ministrit Limani me administratën komunale dhe kjo do të tejkalohet”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Po për dallim nga Mickoski, partnerët e Limanit në koalicionin VLEN, nuk e korrigjuan deklaratën e Limanit!

“Unë nuk kam asgjë për të deklaruar përveç se atë që e ka thënë edhe vet ministri”, u shpreh Saranda Imeri – deputete e VLEN.

I pyetur rreth objektit të çerdhes në Haraçinë, që është gati por nuk po hapet, dje ministri për punë sociale Fatmir Limani, tha nuk do të japë nënshkrime për punësime pa i kërkuar falje kryetari i Haraçinës Ridvan Ibrahimi, që e ka quajtur ministër jolegjitim.

Advertisement

“Atëherë kur ai të bindet që unë jam legjitim në të njëjtën kohë edhe nënshkrimi im do të jetë legjitim”, theksoi Fatmir Limani – ministër për Punë Sociale dhe Demografi.

Pas kësaj, pati një reagim të përbashkët të kryetarit të Haraçinës dhe Likovës, të cilët e dënuan deklaratën e Limanit, duke i kërkuar prokurorisë të veprojë, pasi siç shkruajë, veprimi i tij përbën abuzim flagrant me detyrën zyrtare dhe tregon qartë qëllimet e tij për të vendosur interesa personale dhe politike mbi mirëqenien e fëmijëve. Kryetarët e dy komunave po ashtu thanë se po shqyrtojnë ngritjen e padive penale ndaj Ministrit për shkelje të detyrës zyrtare dhe pengim të ushtrimit të funksioneve institucionale në shërbim të qytetarëve.

Advertisement
Advertisement