Pasi shtypi opozitën ruse – Putin i fiton bindshëm zgjedhjet

Rusia i ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale në të cilat opozita u shtyp, duke thënë se lideri autoritar Vladimir Putin i ka fituar gati 88 për qind të votave.

Putini do ta zgjasë sundimin gati një çerekshekull për edhe gjashtë vjet të tjera, pas një lufte të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve dhe mospajtuesve.

Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë tha se, sipas rezultateve preliminare, Putini i ka fituar gati 88 për qind të votave.

Sipas exit poll-it FOM, Putini i ka fituar 87.8 për qind të votave, ndërsa sipas Qendrës Hulumtuese Publike të Rusisë (VCIOM), Putini i ka fituar 87 për qind të votave.

Votimi më 17 mars, në ditën e fundit të zgjedhjeve treditore, u mbajt praktikisht pa asnjë kundërshtarë për Putinin, por nën sulme raketore dhe me dronë nga Ukraina.

Qytetarë të shumtë rusë u rreshtuan pranë qendrave të votimit nëpër gjithë Rusinë në kohë për aksionin “Mesdita kundër Putinit”.

Një numër i madh i rusëve, të cilët nuk duan që Putini të vazhdojë të jetë në pushtet, shkuan te qendrat e votimit në të njëjtën kohë në mesditë, disa prej të cilëve edhe ndërmorën hapa për t’i prishur fletëvotimet e tyre.

Advertisement

Dhjetëra njerëz janë arrestuar në gjithë vendin gjatë votimit që u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Rusia pretendoi se Ukraina, të cilën e akuzoi se kreu një valë sulmesh ajrore që arritën deri në Moskë, u përpoq ta pengojë procesin zgjedhor.

Lufta e pamëshirshme e Kremlinit, që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut, nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Advertisement
Advertisement