Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari thotë se problemi me mungesën e terapisë biologjike për pacientët me kancer do të tejkalohet gjatë javës së ardhshme dhe pacientët do ta marrin terapinë e nevojshme me kohë. Sipas tij, problemi kryesor është rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve onkologjikë.
“Bëhet fjalë për rritjen e kërkesës për terapi biologjike, jo se kemi pak nga terapia biologjike, kemi bile më shumë se sa kishim në vitet e fundit, megjithatë është rritur kërkesa. Rritet numri i rasteve me kancer, sëmundje malinje, pra nuk bëhet fjalë për faj të Ministrisë ose qeverisë. Unë shpresoj se javën e ardhshme do të kemi përsëri terapi biologjike”, tha Arben Taravari.
Derisa pacientët druajnë nëse do ta marrin terapinë e nevojshme në luftën me këtë sëmundje të rëndë, partitë vazhdojnë t’ia hedhin topin njëra tjetrës me akuza të ndërsjella për atë se kush është fajtori për gjendjen e këtillë. Nga LSDM thonë se për kaosin në Onkologji, përgjegjësia tërësisht qëndron te pushteti.
“Në vend të zgjidhjeve për pacientët, për qytetarët, pushteti me arsyetime. Ishin të komplikuara proceduarat administrative, nuk ka pasur regjistër të ilaçeve, ishte rritur numri i pacientëve, dhe së fundmi, drejtori i Fondit të sigurimit shëndetësor të cilit i duhej më shumë kohë për të punuar diçka. Në mënyrë shtesë, Klekovski arsyetohet se një nga shkaqet për mungesën e terapisë biologjike është shfuqizimi i lejes së drejtorëve që i marrin ilaçet me revers”, tha Belkisa Zeqiri.
Nga VMRO-DPMNE topin ia hedhin kompanisë farmaceutike Panovski, e cila, siç thonë, është e afërm me LSDM. Nga partia pyesin nëse kjo kompani në mënyrë artificiale krijon kriza në llogari të jetës së qytetarëve.
“A është kjo kriza e fundit e mafisë së njëjtë të vdekjes, ku dyshja Venko Filipçe dhe farmacia Panovski janë pjesë e të njëjtit folklor, ku përfitojnë nga sëmundja e pacientëve me kancer? A është e vërtetë se kriza e krijuar artificialisht është pikërisht sepse duhen blerë barna të shtrenjta nga Panovski, i cili dyshohet se ka bërë manipulime me çmimet e barnave? Bëhet fjalë për tregtarë të jetëve dhe shpirtrave njerëzorë”, deklaroi Mile Lefkov.
Drejtori i Fondit për Shëndetësi, Sasho Klekovski, dje tha se problemi me mungesën e dy barnave do të tejkalohet gjatë kësaj jave, ndërsa barnat tjera do të kalojnë në procedurë përkatëse. Problemi nuk është financiar, por për shkak se u ndalua marrja e barnave me revers, ndodhi kjo mungesë të barnave, tha Klekovski.