OBSH: Virusi nuk do të marrë fund këtë vit

Bota do vazhdojë të përballet me pandeminë e Covid-19 përtej vitit 2021.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se megjithëse koronavirusi u vu në kontroll muajin e kaluar, infektimet u rritën sërish një javë më parë.
“Do të ishte e parakohshme dhe mbase, jorealiste, të mendojmë që mund t’i japim fund virusit brenda vitit. Por mendoj se mund ta ndalim atë po të tregohemi të zgjuar dhe të ulim shtrimet në spital, fatalitetet, tragjedinë që po shkakon kjo pandemi,” tha Michael Ryan.
Drejtuesi i OBSH-së, Tedros Adanom, tha se raste në rritje raportojnë Europa, dy Amerikat, Azia Juglindore dhe Mesdheu Lindor. “Është për të ardhur keq që kjo ndodh tre muaj pasi disa nga shtetet më të pasura nisën fushatat e tyre të vaksinimit,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i OBSH.
Të dhënat nga agjencia Bloomberg, tregojnë se vaksinimi me dy doza i 75 për qind të popullatës globale pritet të marrë 4 vite e gjysmë, dhe studimet tregojnë se 70 deri 90 për qind e njerëzve duhen të vaksinohen përpara se të arrihet imuniteti i tufës.
Aktualisht Shtetet e Bashkuara rezultojnë vendi me bilancin më tragjik nga Covid-19, me mbi 28 milionë të infektuar dhe më shumë se 500 mijë viktima.
Shefja e Qendrës amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve tha të hënën se autoritetet po përgatiten për një valë të katërt të pandemisë për shkak të varianteve më të rrezikshme të koronavirusit./AbcNews/

Advertisement
Advertisement
Advertisement

You May Also Like