Drejtori Sportiv i FC Shkupit, Nderim Nexhipi tha se në ekip ka pak lojtarë nga Akademia dhe shtoi se, për të, primare është që çdo vit deri në 3 lojtarë nga Akademia të jenë pjesë e ekipit të parë, përcjell TV21. Nexhipi tha se patjetër që do të rregullohen kushtet ku ata stërviten që siç potencoi, nuk janë të nivelit të duhur.
“Nëse e sheh ekipin tonë, sheh që aty ka pak lojtar të Akademisë sonë. Kjo është një gjë që ndoshta, nuk dua të them që para meje është anashkaluar, nuk e di mënyrën se si është punuar me Akademinë. Per mua gjëja primare dhe këtë po e them publikisht, ekipi i Shkupit, çdo vit në ekipin e parë patjetër të ketë 2 deri 3 lojtarë që do të dalin nga Akademia jonë. Do të bëjmë çmos që t’i rregullojmë kushtet e tyre sepse këto ditë kemi parë kushtet se ku stërvitet Akademia, nuk janë ato nivelet që duhet”, tha Nexhipi në Daily Click.