“Atë që nuk e ndërtuan për 6 vjet, e përfunduam për 6 muaj” – këto janë mesazhet nga ceremonia solemne e Qeverisë për lëshimin në përdorim të rrugës ekspres Stracin – Kriva Pallankë. LSDM paraprakisht mburrej se rruga ishte 90% gati, ndërsa nga Qeveria thonë se në korrik të vitit të kaluar nuk kishte as një centimetër asfalt në të. Ceremonia zyrtare e lëshimit në përdorim kaloi me shumë “falënderime”.
Faleminderit që erdhët në lëshimin në përdorim të kësaj rruge ekspres kapitale. Projekti i parë kapital i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Koalicioni. Projekt që është ndërtuar për vetëm 6 muaj dhe ka përfunduar, tha Koce Trajanovski, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë shtetërore.
Kryetar të faleminderit. Kjo është para së gjithash meritë e tij personale, sepse për herë të parë në historinë e Maqedonisë një projekt u realizua në kohë. U premtua më datë 31.12. Unë dhe drejtori Trajanovski për herë të parë e kemi ecur këtë rrugë më 31.12 dhe i kemi dërguar informatë kryeministrit se rruga është gati, tha Aleksandr Nikollovski, ministri i Transportit dhe Lidhjes.
Kryeministri e uli pak topin.
Dhe në vend që t’u kërkonin falje qytetarëve që nuk ia dolën dot në 6 vitet e fundit, sot vrapuan për të mbledhur pikë politike. Dua t’u them qytetarëve se kush do ta shfrytëzojë këtë rrugë, kjo nuk është rruga e LSDM-së, e VMRO-DPMNE-së, as e ndonjë opsioni tjetër politik, kjo është rruga e qytetarëve.
Kredia e marrë nga institucionet financiare do të shlyhet nga paratë e qytetarëve. Prandaj, askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Disa orë para ceremonisë zyrtare, ish-zyrtarët e LSDM-së dhanë deklarata në rrugë. Ata thanë se me krenari njoftojnë se rruga ka përfunduar.
Me krenari ndajmë lajmin për përfundimin e rrugës ekspres Stracin-Kriva Pallankë. Ky projekt ka filluar në kohën e LSDM-së në vitin 2018 dhe mbi 90% ishte i realizuar nga mesi i vitit 2024. Është projekt strategjik, investim strategjik shumë i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit verilindor, u shpreh Bllagoja Boçvarski, ish ministër i Transportit.
Për këtë ka reaguar edhe VMRO-DPMNE.
Zotërinjtë e LSD-së gjatë shtatë viteve të fundit nuk arritën ta përfundojnë rrugën ekspres Stracin-Palankë, andaj duhej VMRO-DPMNE-ja në mënyrë ekspres ta vendos në përdorim për vetëm 6 muaj, theksuan nga VMRO-DPMNE.
Ndryshe, me lëshimin në përdorim të kësaj rruge, udhëtimi nga Stracini në Kriva Pallankë do të shkurtohet nga 30 minuta në 10 minuta, ndërsa nga Kriva Pallanka në Kumanovë do të arrihet për 40 minuta në vend të një ore. Rruga eksprese, e cila është pjesë e Korridorit 8, është e gjatë 25.5 kilometra. Investimi total është rreth 94 milionë euro, i siguruar me kredi nga Banka Botërore dhe grante.