Kush u shet cigare të miturve burg deri 8 vite! Ja sa dënohen nëse shitja e paligjshme sjell vdekje

Estimated read time 2 min read

Të gjithë shitësit që do të tregtojnë duhan, cigare elektronike, nargjile, puro apo lloje të tjera duhani, moshave nën 18 vjeç do të dënohen.

Mbi ta do të rëndojë dënimi me 8 vite burg si dhe do të gjobiten me vlerën deri në 500 mijë lekë. Këto dy projektligje janë nisur nga deputetët socialist Erion Braçe dhe Etilda Gjonaj dhe synojnë të ashpërsojnë masat ndëshkuese për shkelësit e ligjit.

Konkretisht në Kodin Penal propozohet të shtohet një nen 288/c, ku përcaktohet se ata persona që tregtojnë këto produkte tek të rinjtë nën 18 vjeç që janë ndëshkuar më parë do të gjobiten nga 100-300 mijë lekë ose burg deri në 6 muaj. Në rast të përsëritjes së shkeljes, gjoba do të jetë 300-500 mijë ose burg nga 6 muaj deri në 1 vit.

Kur si pasojë e kryerjes së veprës penale të parashikuar në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ka ardhur si pasojë dëmtimi i rëndë i shëndetit të të miturit, dënimi është nga 4 deri në 8 vjet burgim. Ndërsa në rastet kur shkaktohet vdekje prej këtyre produkteve, dënimi – thuhet në projektligj – do të jetë 8 deri ne 16 vjet burgim.

Advertisement

Në relacion theksohet se këto masa shtrënguese propozohen për shkak se përdorimi i duhanit, cigareve elektronike apo produkteve të tjera të duhanit nga fëmijët e të rinjtë është në rritje vitet e fundit.

“Vitet e fundit ka pasur një rritje alarmante të përdorimit të duhanit dhe produkteve të duhanit tek fëmijët dhe të rinjtë. Konsumimi i nikotinës tek fëmijët dhe adoleshentët ka ndikime negative në zhvillimin e tyre. Ajo sjell pasoja negative afatgjata për zhvillimin e trurit dhe mund te shkaktojë çrregullime në të mësuarin dhe gjithashtu shkakton ankth. Po ashtu edhe ekspozimi i drejtpërdrejtë apo aksidental i fëmijëve ndaj lëngjeve që cigaret elektronike përmbajnë, paraqet rrezik serioz për ta, pasi pajisjet mund të rrjedhin dhe fëmijët mund të gëlltisin lëngun, i cili është helmues”, thuhet në relacion.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like