Protesta e administratës publike vazhdoi edhe sot nëpër shumë ministri dhe institucione shtetërore. Ata i bëjnë kërkesë drejtpërdrejt kryeministrit Miskoski, Qeverisë dhe Ministrisë së Financave që të gjejnë mjetet për të siguruar rritjen e pagave për 2,447 punonjës. Kjo rritje do të ngarkonte buxhetin e shtetit me 3 milion euro në vit. Administratorët ndihen të diskriminuar me diferencën e pagave të të punësuarve në të njëjtat pozita në organet tjera shtetërore që kanë marrëveshje kolektive.
Pagat e 70% të të punësuarve në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit janë nën pagën mesatare të vendit.
Të indinjuar nga deklaratat e autoriteteve qeverisëse se këto protesta janë të nxitura politikisht, reagojnë punonjësit, të cilët sot kanë dal para godinës së Kulturës me kërkesa të kahershme. Ata thonë se Sindikata e AOGJSH-së në tri vitet e fundit ka mbajtur 3 greva dhe 20 protesta për rritje page 30%, ngaqë aktualisht disa punonjës janë me 25 mijë denarë, kurse mesatarja e tyre nuk arrin as 30 mijë.
Nga Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve thonë që kjo nuk është një grevë siç është keqinterpretuar nga Qeveria dje, por një protestë. Kreu i AOGJSH-së Trpe Deanovski tha se akoma nuk janë të ftuar për tu ulur në tryezë të bisedimeve dhe nëse duan të marrin masa më rigoroze do të futen në grevë për të paralizuar të gjithë aparatin shtetëror.
Nesër do të vazhdojnë protestat në shumë ministri dhe institucione shtetërore, kurse fjalimi qendror do të mbahet te Enti Shtetëror i Statistikave në orën 11:00. Nga organizatat sindikale thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, kurse të premten protesta kryesore do të jetë te Ministria e Financave.