Ish-shefi i NATO-s: Brukseli ka detyrimin të integrojë Kosovën dhe Serbinë në BE

Ish-shefi i NATO-s: Brukseli ka detyrimin të integrojë Kosovën dhe Serbinë në BE

“Nuk do të komentoj për dërgesat specifike të armëve, por në përgjithësi do të thosha se mendoj se duhet të bëjmë një përpjekje shtesë për të integruar të gjitha vendet e Ballkanit në strukturat euroatlantike”, i tha Zërit të Amerikës ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në përgjigje të pyetjes për marrëveshjen e ShBA-së dhe Kosovës për shitjen e 246 raketave të tipit “Javelin” dhe nëse ky është një sinjal për Beogradin.

“Në veçanti, Bashkimi Evropian ka obligim që të përpiqet të integrojë Serbinë, si dhe Kosovën, në Bashkimin Evropian. Në të kaluarën, ne kemi parë se kjo është baza për paqe dhe stabilitet më të qëndrueshëm në kontinentin evropian”, tha Rasmussen më tej në këtë intervistë, transmeton Klankosova.tv.

Vendimi i Amerikës për furnizimin e Kosovës me armatim ushtarak shkaktoi reagime, por edhe kritika ndërkombëtare dhe vendore.

Pasi ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, e njoftoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Prishtinës për blerjen e raketave antitank “Javelin” dhe Vuçiq deklaroi se ky informacion e konsideron si një zhgënjim i madh – foli edhe Moska.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se Moska dënon planet e Uashingtonit për të dërguar sisteme antitank “Javelin” në Kosovë, pasi minon procesin e negociatave.

Ajo theksoi në konferencë se Rusia dënon me vendosmëri të gjitha përpjekjet për të armatosur “strukturat e paligjshme paraushtarake” të Prishtinës, raportoi Tass.

“Papërgjegjësia e treguar nga Uashingtoni dhe aleatët e tij, mosrespektimi i normave të së drejtës ndërkombëtare, dispozitave të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, minojnë procesin e negociatave për çështjen e Kosovës dhe rrisin rrezikun e destabilizimit si në krahinë ashtu edhe në rajonin e Ballkanit”, tha Zakharova.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se shitja e raketave antitank “Javelin” për Kosovën mbështet synimet e politikës së jashtme amerikane dhe sigurisë kombëtare, duke përmirësuar sigurinë e Kosovës, pa ndryshuar balancën bazë ushtarake në rajon, thuhet në përgjigje për Zërin e Amerikës.

Advertisement

Departamenti i Shtetit njoftoi se kërkesa e Prishtinës për të blerë 246 raketa “Javelin” është pranuar.

Gjithashtu u bë me dije se administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin për shitjen e raketave “Javelin” me pajisje përcjellëse në Kosovë, për një çmim të vlerësuar prej 75 milionë dollarësh.

Claudia Tenney, anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkoi Kongresit të refuzojë marrëveshjen e raketave.

Mesazhi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd se miratimi i kërkesës së Kosovës për shitjen e raketave “Javelin” është në fakt një imperativ për t’u menduar mirë përpara se të përfshihen në veprime që mund të përshkallëzojnë tensionet, deklaroi Leon Hartwell, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Uashington dhe organizatën IDEAS në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër, për Zërin të Amerikës. Ai shtoi se blerja e raketave “Javelin” mënyra kyçe për dekurajim, si një sinjal i një reagimi të fortë ndaj të gjitha provokimeve të mundshme nga regjimi i Vuçiqit.

Advertisement
Advertisement