Një rast i pazakontë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në afërsi të një moteli në rrugën Prishtinë – Pejë,
saktësisht në fshatin Korricë e Epërme, ku një vajzë u godit nga një veturë. Rastit dyshohet se i parapriu një rast i dhunës, ku është përfshirë edhe një person tjetër, raporton Gazeta Sinjali.
Siç ka mësuar Gazeta Sinjali, viktima është një 21-vjeçare, e cila kishte qëndruar me një person në një motel, ku kanë pasur një konflikt verbal mes vete.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari 26-vjeçar pas sherrit ka eskaluar dhe ka ushtruar dhunë ndaj viktimës, duke e goditur me shuplaka.
Situata mes tyre u tensionua dhe viktima në një moment ka ikur nga moteli dhe ka dalë në rrugë në mes të natës, ku edhe e pësoi.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Gazetën Sinjali se duke tentuar që të ikë, viktimën e ka goditur një veturë.
Për pasojë 21-vjeçarja është lënduar rëndë dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Personi me të cilin ishte në motel është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.