Gërvalla apel mërgimtarëve: Vaksinohuni para se të vini në Kosovë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz u ka bërë thirrje mërgatës kosovare në Gjermani që të vaksinohen me vaksinë kundër COVID-19 para se të vinë në pushime në Kosovë, raporton Deutsche Welle.
“Ne nuk kemi vaksina”, ka thënë ajo në prezantimin e saj të parë para publikut gjermanofolës. “Deri tash kemi arritur të sigurojmë vetëm 60 mijë vaksina. E ato nuk mjaftojnë as për dhjetë për qind të popullsisë. Tash po vjen vera dhe të gjithë do të kthehen për pushime. Prandaj ju lutem të gjithëve para se të vijnë në Kosovë që të vaksinohen”.

Me këtë deklaratë, ajo bëri të qartë njëkohësisht edhe se në cilën fushë qeveria e Kosovës ka nevojë për ndihmë urgjente: luftimin e pandemisë dhe konkretisht sigurimin e vaksinave.
Edhe luftën kundër korrupsionit ajo e deklaroi si prioritet kyç: “Ky është shkaku se përse jemi zgjedhur, sepse ua kemi shpjeguar njerëzve se do ta shërojmë Kosovën nga kjo sëmundje”, tha Gërvalla.
Gërvalla-Schwarz u shpjegoi afro 200 pjesëmarrësve në takimin virtual se përse dialogu me Serbinë kërkon pak më shumë kohë për qeverinë e re.

Advertisement

“Ne duhet të studiojmë status-quo-në, tha ajo, pasi nuk kemi informacione për bisedimet e deritanishme”, tha ajo.
Ajo u distancua nga përdorimi i termit “dialog”.
“Unë nuk e quaj dialog, sepse ne nuk duam të vazhdojmë si më parë”, tha ajo duke premtuar një “frymë të re” në bisedime. Gërvalla-Schwarz siguroi se qeveria e Kosovës do të shkojë e përgatitur në Bruksel, por nuk dha hollësi se me cilat kërkesa konkrete.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like