Atë që po e drejton Arben Taravari apo Ziadin Sela, cilën Aleancë për Shqiptarët do ta njeh Komisioni shtetëror i Zgjedhjeve kur të vijë koha e dorëzimit të listave?
“Në momentin e paraqitjes së listës, një ndër kushtet për ta dorëzuar listën është edhe vërtetim nga ana e gjykatave për dokumentet për vërtetim nga ana e gjykatës kompetente. Në momentin kur do të dorëzohet vërtetimi nga gjykata”, tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
Nga KSHZ tashmë kanë sqaruar se gjatë dorëzimit të listave, dorëzohet edhe marrëveshja për koalicionim, bashkë me vërtetimin nga Regjistri Qendror dhe vendim nga gjykata përkatëse për regjistrimin e partisë politike. Ky është dokumenti i Regjistrit Qendror që tregon ndryshimet ndër vite të Aleancës për Shqiptarët. Ndryshimi i fundit është bërë fillim të vitit 2023, ku bartës figuron Arben Taravari, me akt të Gjykatës së Tetovës. Por kjo mund të mos mbetet kështu. Kjo për shkak se pas ndarjes në dy grupime të Aleancës për Shqiptarët, në krahun që mbështetë Taravarin dhe ai që mbështet Selën, dhe me shkarkimet nga funksionet partiake që ia bënë palët njëra-tjetrës, tash do t’i mbetet Gjykatës së Tetovës që të vendosë se e kujt është partia.
Nga krahu i Taravarit para pak ditësh i thanë TV21 se nuk do të meren me atë se kujt do t’i takojë partia dhe presin vendimin e gjykatës, por TV21 nga burime brenda gjykatës së Tetovës, ka mësuar se krahu i Taravarit tashmë i ka dorëzuar në Gjykatë vendimet e kongresit të jashtëzakonshëm.