A po e kushtëzon VLEN Mickoskin për stemën? Kasami: Me një pako të jetë edhe ndryshimi i himnit dhe ligjit për gjuhën

VLEN shprehet e gatshme të bisedojë për ndryshimin e stemës, por njëkohësisht kërkon që të ndryshohet edhe himni dhe definicioni për gjuhën shqipe. Këtë e deklaroi kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami në Daily Click, i cili thotë se ky nuk është kushtëzim por kërkesë. “Po parimisht jemi të gatshëm të bisedojmë për ndryshimin e stemës por në një pako me ndryshimin e himnit, me ndryshimin e definicionit për gjuhën shqipe që është në Kushtetutë 20% dhe sigurisht me zgjidhjen e disa problemeve tjera me të cilat shteti do të reflektojë realitetin multietnik të shoqërisë të RMV-së dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së…Kërkesa jo kushtëzime, kërkesa kushtetuese që në këtë rast kemi kërkesa që janë të koalicionit, në këtë rast, të pjesës shqiptare të koalicionit”, tha Bilall Kasami. Ndonëse Kasami thotë se nuk po kushtëzojnë, gjithsesi lë të kuptohet se nuk do të negociojnë për stemën pa ndodhur ndryshimi i Ligjit për gjuhët. Këto kërkesa janë pjesë e koalicionit të pjesës shqiptare tha kreu i Lëvizjes Besa, i cili shton se në këtë mandat të VLEN-it, do të bëhet zyrtarizimi i gjuhës shqipe, por se fillimisht do të largohet termi 20% nga Kushtetuta, që i referohet gjuhës shqipe. “A do të jetë shqipja e barabartë me maqedonishten, ashtu siç e tha edhe z.Taravari në këtë studio? Tash…avancimi i gjuhës shqipe në gjuhë të barabartë me gjuhën maqedonase është një proces, pra nga aty ku kemi qenë, në atë që duam ta arrijmë, një barazi të plotë, sigurisht që kërkon një proces të përgatitjes së shoqërisë, një proces të përgatitjes së institucioneve dhe një proces pra të ndryshimeve hap pas hapi të Kushtetutës, ne në këtë rast po themi që fillimisht pra me me këto ndryshime kushtetuese do të largojmë pra këtë definicion, ne themi të papërshtatshëm për gjuhën shqipe në Kushtetutë dhe në fazën tjetër është implementimi dmth i Ligjit ekzistues, me ndryshimet kushtetuese, sigurisht pra do të bëhet Ligj për Gjuhën shqipe dhe jo si është tani, ligj për gjuhët. Implementimi i plotë i Ligjit për Gjuhën Shqipe që si një fazë paraprake deri sa ne të arrijmë barazi të plotë”, tha Kasami. Kasami në Daily Click foli edhe për ndryshimet kushtetuese, për zgjidhjen e problemit me Bullgarinë, ai tha se duhet një lider që do t’i ulë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë që siç thotë, edhe bullgarët të futen në Kushtetutë, por edhe Maqedonia të avancojë drejt BE-së. Për ndërmjetësimin e një lideri, Kasami tha se e ka fjalën për Uashingtonin dhe Brukselin.

Advertisement
Advertisement
Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *