Shtatë shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane me urdhër të prokurorisë e cila kishte kërkuar masën e sigurisë arrest me burg. Operacioni u krye në orët e para të mëngjesit të së martës në Firence dhe Prato. 3 personave të tjerë iu është ndaluar dalja natën nga ora 19:00 deri në orën 07:00 të mëngjesit.
Njëkohësisht, policia ka kryer kontrolle edhe ndaj 18 të dyshuarve të tjerë. Arrestimi i shqiptarëve ka ardhur si rezultat i hetimeve të një operacioni të mëparshëm për trafik ndërkombëtar droge, të kryer me 5 Shkurt, ku u ekzekutuan 83 masa sigurie. Në kuadër të këtij hetimi, doli në pah emri i një shqiptari.
Sipas policisë italiane, u zbulua se shqiptari së bashku me persona të tjerë në Shqipëri kishte kryer tregtim kokainë, hashashi dhe marihuane nga viti 2018 deri në verën e vitit 2022. Droga e sasive të mëdha ishte transportuar me kamionë, e modifikuar dhe fshehur siç duhet nëpërmjet kompanive të transportit.