Gropa në dy akset lidhëse të qarkores së Shkupit! NP: Do ta rikonstruojmë nëse na mbetet para

Çdo ditë udhëtarët duhet të paguajnë pagesën rrugore të autostradës për të kaluar nëpër këto gropa… Këto dy akse lidhëse të qarkores në autostradën Shkup-Kumanovë janë të rrënuara për vite të tëra. “Jemi në autostradë, por makinat duhet të ndalojnë shpejtësinë, pothuajse deri në 30 km/h për shkak se është e shkatërruar gati plotësisht kjo pjesa e anësores së Autostradës E-75 nga Kumanova për në Shkup, por që lidhet tek qarkorja dhe autoritetet akoma nuk kanë vendosur se kur do të bëhet rikonstruimi i saj. Njësoj situata është edhe në pjesën tjetër, e cila nga qarkorja lidhet për autostradën drejt Kumanovës”, raporton Adnan Qaili – gazetar TV21. Planifikimi për rehabilitimin e saj shtyhet nga viti në vit. Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” na thanë se segmenti nuk rregullohet vetëm me arnimin e gropave, por duhet një rikonstruim i plotë. Nga ana tjetër, nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” na thanë se ai segment në të dyja korsitë është vendosur në programin e këtij viti, por akoma nuk janë paraparë mjete për realizim. Nuk dihet nëse do të ngelin para për projektimin dhe realizimin e saj nga 45 milionë eurot e ndara të të hyrave vetanake. “Në programin e investimeve nga të hyrat vetanake për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve janë paraparë 2,762,110,000 denarë, të cilat janë 24% e buxhetit të përgjithshëm të investimeve. Rruga për të cilën pyetni është në program të vitit 2025, por vetëm në rast të sigurimit të mjeteve të këtij vitit, planifikohet të nisë projekti për Rehabilitimni e autostradës Hipodrom-Milladinovci (të dyja korsitë)”, thonë nga N.P. “Rrugët Shtetërore”. Ende nuk dihet kur do të hapet tender për kompaninë ndërtuese dhe mbikëqyrëse të atij segmenti 1 km.E derisa kjo pjesë nuk është në listën e prioriteteve të ndërmarrjeve, automjetet do të vazhdojnë “t’i lënë” gomat në gropa.

Advertisement
Advertisement
Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *