Këto janë pamjet e vetme të rrënimit të një objekti në Komunën e Tetovës që nga viti 2021. Bëhet fjalë për një tavernë që u rrënua javë më parë. Shkaku pse këto vite në Tetovë janë rrënuar vetëm garazhe dhe veranda është Ligji për legalizim. Ai është ende në fuqi dhe me afat, andaj komunat i presin procedurat. Janë mbi 2 mijë objekte qe presin legalizim në Komunën e Tetovës, kurse rreth 150 duhet të rrënohen, por presin procedurat administrative. “Nga të dhënat që kemi marr nga inspektorati komunal nga viti 2022 ka 29 objekte, 2023 – 26 objekte dhe në vitin 2024 – 52 objekte që kanë vendime për prishje. Gjithsej janë 147. Ndërsa objekte pa leje që janë rrënuar në vitin 2022 janë 9, në vitin 2023 – 23 objekte, kurse në vitin 2024 – 30 objekte. Për këto objekte inspektorati komunal ka filluar me procedurën për prishjen e tyre por edhe këto kanë procedura administrative që duhet të respektuar”, tha Besarta Ramadani – zëdhënëse e Komunës së Tetovës. Dekani i fakultetit të arkitekturës në Universitetin e Tetovës, Enis Jakupi, thotë inspektorati komunal duhet të merret më shumë me standardet e ndërtimit të objektit dhe jo vetëm me lejet e ndërtimit. “Për fat të keq nëpër komunat tona, njësitë tona, është bërë një koncept i çuditshëm, e merr lejen e ndërtimit dhe inspektorët nuk dalin në terren. Ato që i kontrollojnë këto standarde janë inspektorët që konstatojnë të gjithë gabimet. Këtu inspektorët merren me atë se a është bërë objekti më i madh apo më i vogël. Inspektori e ka grafikun e tij ku duhet t’i japë të gjitha vërejtjet. Standardet në letër i kemi shumë të mira por jemi shumë larg asaj që duhet të jemi”, deklaroi arkitekti Enis Jakupi. Sipas Jakupit në qytet nuk duhet të merren me të kaluarën, por me të ardhmen e projektimit. “Mos të merremi me të kaluarën të fillojmë të shohim ça i duhet të ardhmes! Pse shkon ta prishësh objektin kur nuk është prish në kohë?! Këtu ekziston procesi, ne të gjithë e dimë se ai e ka bërë më të madh prej në fillim, e kemi parë ku ishin inspektorati në atë kohë, prandaj ne duhet të merremi me atë çfarë i duhet Tetovës dhe cilët janë aplikimi ne duhet vetëm si institucione dhe unë shpesh e kam thënë dhe e them – komunat duhet të merren sa implementohen ligjet të cilat janë në fuqi, nëse implementohen ligjet dhe rregullore t ne nuk do të kemi problem”, shtoi Enis Jakupi – arkitekt. Mos pasja e planeve detale urbanistike pamundëson që komunat të japin leje ndërtimi për objekte. Kjo bën që komunat edhe të humbin para edhe të ndërtohet pa standarde të caktuara. Komuna e Tetovës për momentin është duke punuar në disa plane detale urbanistike. Pritet që ato të sjellin më shumë rregull në zgjerimin e qytetit.
Për tre vite rreth 160 objekte pa leje në Tetovë! Arkitektët: Inspektorët të merren edhe me standardet, jo vetëm me lejet
Advertisement
Advertisement
Advertisement