Rruga “Hasan Prishtina” mbetet “gropë” e pazgjidhur/ Afaristët kërkojnë sa më shpejt zgjerimin e saj

Rruga “Hasan Prishtina” mbetet “gropë” e pazgjidhur/ Afaristët kërkojnë sa më shpejt zgjerimin e saj

Rruga industriale “Hasan Prishtina” në Vizbeg mbetet një projekt vetëm i premtuar ndër vite. Ndonëse është ndër arteriet kryesore të Shkupit që lidhet me akset biznesore të asaj zone industriale, i kalimtarëve me automjete, por edhe i banorëve që e kanë përditshmëri, ende nuk ka një projekt konkret për zgjerimin e saj.

“Rrugë e vjetërsuar dhe me shumë gropa, ndonëse me dy korsi rruga e Vizbegut është e pamjaftueshme për t’i bërë ballë fluksit të shtuar të qarkullimit të automjeteve por edhe mauneve të bizneseve, të cilat janë në këtë zonë industriale që lidh Shkupin me Kosovën. Autoritetet heshtin dhe nuk tregojnë se kur ky projekt mund të jetë i aksesueshëm për të bërë rehabilitimin e plotë”, raporton nga terreni gazetari i TV21, Adnan Qaili.

Afaristët thonë se hasin në vështirësi të shumta gjatë transportit të mallrave dhe shërbimeve. Ata kërkojnë nga autoritetet që sa më parë të fillojnë me zgjerimin e rrugës në katër korsi për qasje të plotë.

Nga Qyteti i Shkupit nuk kanë të paraparë një projekt kapital për këtë vit buxhetor për rikonstruimin e tërësishëm të rrugës “Hasan Prishtina”. Njëra nga këshilltaret e Kuvendit të Qytetit të Shkupit bënë thirrje për bashkëpunim më të frytshëm ndërkomunal.

Përndryshe sipas autoriteteve në këtë rrugë kalojnë rreth 25 mijë automjete në ditë dhe kolonat janë të gjata. Gjithashtu ka 4 vite që Qyteti i Shkupit nuk po mund ta mbarojë kryqëzimin afër rrethrrotullimit në “Momin Potok”, me çka edhe bulevardi Nikolla Karev ka mbetur në gjysmë, bulevard  i cili duhej të lidhej me rrugën “Hasan Prishtina” deri në qarkoren që të shpie drejt kufirit në Bllacë.