Nuk ka mungesë të terapisë onkologjike, por vetëm një javë ka munguar terapia biologjike, tha i ministri i shëndetësisë Arben Taravari. Sipas tij prej kësaj jave do të rikthehet kjo terapi.
“Ka barna për pacientët e Onkologjisë, por ka munguar vetëm një javë terapia biologjike . Dua të informoj publikun se terapia biologjike këtë periudhë është dhënë shumë më shumë se sa më parë, mirëpo kërkesat e pacientëve janë shumë më të mëdha, prandaj kemi bërë edhe protokolle ku duhet të jepet kjo terapi biologjike. Prej kësaj jave komplet do të rikthehet terapia biologjike”, tha Arben Taravari.
Poashtu edhe drejtori i fondit për sigurim shëndetësor Sashko Klakovski, tha se mungesa e barnave biologjike është duke u kompletuar.
“Sapo kam ardhur nga një takim me drejtorin e Klinikës. Disa prej tyre do të zgjidhen me donacione që do të realizohen gjatë javës, pasi që barnat janë të pranishme në Maqedoni, disa do të jenë me anekse të kontratave dhe këtë po e sqarojmë sot dhe nesër me prokurim publik”, tha Sasho Klekovski.
Klekovski foli edhe për ndryshimet që planifikojnë të bëjnë për të gjetur një zgjidhje, si pajisjen e laboratorëve patologjikë jashtë Shkupit, rritjen e kapacitetit të PET-skenerëve, dhe përshpejtimin e procedurave. Në pjesën terapeutike tha se do të rritet buxheti bazë për pothuajse 40-50 për qind, gjë që pritet të miratohet këtë javë.
Gjithashtu do të shqyrtohet decentralizimi i terapisë dhe që një pjesë e ilaçeve në formë tabletash të përfshihen në listën pozitive, në mënyrë që të mund të merren jashtë Onkologjisë.