Kreu i VMRO-DPMNE-së, kryeministri Hristijan Mickoski, nuk dëshiron ta komentojë mendimin e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të parashtruar deri te Gjykata Penale në për zbatimin e Ligjit për amnisti për një pjesë të të akuzuarve në rastin “Organizatorët e 27 prillit”, në të cilën janë të përfshirë ish-zyrtarë të VMRO-DPMNE-së.
I pyetur rreth kësaj çështjeje, kreu i ASH-së së Frontit Europian, Ziadin Sela, tha se nuk e di nëse ka mbetur ndonjëri i “27 prillit” që është në burg, sepse sipas tij, të gjithë janë lënë të lirë.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se do të donte të besonte se të gjitha organet e drejtësisë punojnë në mënyrë të paanshme dhe se politikanët do të ishte mirë që sa më pak t’i komentojnë vendimet e gjyqësorit, por sipas tij kjo nuk po ndodh.
Përndryshe dje Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit parashtroi mendim deri te Gjykata Penale në lidhje me zbatimin e Ligjit për amnisti për një pjesë të të akuzuarve në rastin “Organizatorët e 27 prillit”. Sipas Prokurorisë kërkesa e mbrojtjes për zbatimin e ligjit është e bazuar, posaçërisht duke pasur parasysh se një pjesë e të akuzuarve dhe të dënuarve tashmë kanë marrë amnisti. Prokuroria konfirmoi se tre të akuzuarit i plotësojnë kushtet për amnisti. Prokuroria theksoi se gjykata është arbitri përfundimtar dhe do sjellë vendimin në bazë të bindjeve të veta.