Kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi dhe ai i Likovës, Erkan Arifi i kanë reaguar ministrit Fatmir Limani pasi ky i fundit tha se, po pret falje publike nga kryetarët e komunave pasi deklaruan se Limani është ministër jolegjitim. Kryetarët e komunave thane se, dënojnë deklaratën e Limanit që ka kushtëzuar hapjen e çerdheve publike me një kërkim-falje publike ndaj tij. Ata thonë se veprimi I ministrit është abuzim flagrant me detyrën zyrtare ndërkohë që i bënë thirrje Prokurorisë Publike që të veprojë, ndërsa tutje njoftuan se, po shqyrtojmë ngritjen e padive penale ndaj ministrit.
“Prokuroria të vepron!
Ne, kryetarët e komunave të Haraçinës dhe Likovës, dënojmë ashpër deklaratën e Ministrit të për punë dhe politikë sociale, i cili ka kushtëzuar hapjen e çerdheve publike në komunat tona me një kërkim-falje publike ndaj tij.
Ky veprim përbën abuzim flagrant me detyrën zyrtare dhe tregon qartë qëllimet e tij për të vendosur interesa personale dhe politike mbi mirëqenien e fëmijëve tanë. Refuzimi për të firmosur hapjen e çerdheve në Haraçinë dhe Likovë është një akt diskriminues dhe i papranueshëm, që pengon të drejtën e qytetarëve për akses në shërbime publike thelbësore.
Ky veprim është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe etikën që duhet të udhëheqë punën e një zyrtari publik.
Në këtë drejtim, ne bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të ndërmarrë veprime dhe të hetojë këtë abuzim të hapur të pozitës zyrtare.
Gjithashtu, ne po shqyrtojmë ngritjen e padive penale ndaj Ministrit për shkelje të detyrës zyrtare dhe pengim të ushtrimit të funksioneve institucionale në shërbim të qytetarëve.
Fëmijët tanë dhe familjet e komunave të Haraçinës dhe Likovës nuk duhet të jenë viktima të lojërave politike apo të kapriçove personale të askujt.
Ne do të mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë me çdo mjet ligjor dhe do të vazhdojmë të luftojmë për mirëqenien dhe interesat e tyre”, thuhet në njoftimine kryetarëve të komunave.