Nga VLEN kanë reaguar ndaj konferencës së sotme për shtyp të BDI-së, ku kritikohej puna e menaxhmentit aktual në Klinikën për Fëmijë, marrë parasysh numrin e vdekjeve të foshnjave, ndërkaq kërkohej edhe dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, përcjell TV21. Nga VLEN thonë se BDI po shfrytëzon rastet e dhimbshme për pikë politike.
Në lidhje me: BDI kërkon dorëheqjen e Taravarit: 20 fëmijë kanë vdekur për 6 muaj, menaxhmenti i Klinikës për Fëmijë në festë të fundvitit
“Partia non grata BDI, kjo kopje e keqe e Gruevskit, në dëshpërimin e saj si parti e izoluar, po shfrytëzon edhe rastet më të dhimbshme vetëm për të ushqyer egot e saj. BDI parti e cila kur ishte momenti për t’i dalë për zot Shëndetësisë, u fsheh pas aferave dhe skemave të veta korruptive, duke dëshmuar se pushteti për ta vlen më shumë se jeta e qytetarëve. Sot atyre nuk u ka mbetur fytyrë për të kërkuar përgjegjësi pasi pasojat e keqqeverisjes së tyre, i kemi trashëguar dhe po punojmë për ta shëruar plagën që e kanë lënë ata. Kjo është po ajo parti që, nga korrupsioni i saj, ka shkaktuar vdekjen e 14 qytetarëve në spitalin modular të Tetovës. Kjo është e njëjta parti që mbajti në harresë mijëra punonjës shëndetësorë për dy dekada, duke i mbajtur me kontrata të përkohshme dhe duke i abuzuar si mjete elektorale”, thonë nga VLEN.