Edhe pse zgjati për një orë, prindërit aspak nuk u njoftuan nga shkolla se biri i tyre është përgjakur pasi është goditur nga mësuesi gjatë orës mësimore.
Kështu ka bërë të ditur para kamerës së TV21 motra e nxënësit të sulmuar, e cila thotë se për rastin i ka njoftuar shoqja e klasës së vëllait.
“Para se të na njoftojë arsimtari i vëllait, na ka lajmëruar shoqja e klasës. Ka lajmëruar te babai i saj, i cili është xhaxhai im”, tha motra e nxënësit të sulmuar.
Ajo ka bërë të ditur se vëllai i saj pasi është rrahur me shuplaka, më pas është goditur me kokë nga mësuesi në hundë.
“Arsimtari i ka rënë me shuplakë vëllait tim dhe më pas i ka rënë me kokë te hunda e tij”, tha motra.
Kujtojmë se në shkollën fillore “Naim Frashëri” gjatë ditës së sotme, gjatë orës mësimore një nxënës 14-vjeçar është sulmuar nga mësuesi i tij dhe si pasojë e ka humbur vetëdijen dhe ka marrë lëndime në hundë.
Rasti është paraqitur në polici, ndërkaq siç ka bërë të ditur edhe nxënësi i sulmuar dhe shoqja e klasës së tij, gjithçka ka nisur pasi 14-vjeçari ka kërkuar të shkojë në tualet sepse nuk ka qenë mirë me shëndet dhe i villej. Mësuesi nuk e ka lëshuar në fillim, por pas insistimit të nxënësit vendos ta lëshojë për i shkon nga prapa dhe e godet në korridor./TV21