Trupi Koordinues i koalicionit VLEN, së bashku me liderët e partive dhe gjithë ekzekutivin në kuadër të koalicionit qeverisës, mbajtën takim, ku mes tjerash u diskutua edhe për seancën e 11 dhjetorit në Gjykatën Kushtetuese, ku pritet të merret vendim mbi kontestimin e Ligjit për Gjuhët, përcjell TV21. Pas takimit, nga VLEN komentuan edhe nismën “Roja e gjuhës” nga Fronti Europian, të cilën e quajnë kopjim të skenarëve të Nikolla Gruevskit.
“Mbi ngjarjet e fundit dhe retorikën përçarëse të opozitës, e cila kinse në emër të mbrojtjes së gjuhës shqipe, mundohet të manipulojë opinionin publik, madje edhe me skenarë të kopjuara nga Nikolla Gruevski, të para 8 viteve, me tenda para KSHZ-së. Shqiptarët le të rrinë të qetë, gjuha shqipe do të mbrohet. Truqet e BDI-së për tu paraqitur në mënyrë të rreme si shpëtimtarë të problemeve të vet-shkaktuara, nuk kalojnë”, tha Saranda Imeri Stafai nga VLEN.