DAP përmes softuerit të ri E-faturë do të monitorojë qarkullimin e plotë të shërbimeve në Maqedoni. Kjo do të mundësojë detektim të qarkullimit të paparaqitur, faturave fiktive, kompanive që e kanë tejkaluar pragun dhe janë bërë tatimpagues të TVSH-së, madje mundëson edhe kontroll më të lehtë gjatë tatimit të përfitimit dhe të ardhurave personale.
“Ky është mjeti kryesor që do ta ndryshojë mënyrën e të punuarit në DAP dhe në aspekt të grumbullimit të të ardhurave tatimore, por patjetër edhe në luftën kundër ekonomisë gri dhe aktiviteteve të tjera dhe masave të DAP-it për mobilizim të të ardhurave tatimore, do të përfshihen edhe shumë masa të tjera”, tha Elena Petrova – Drejtoreshë e DAP.
5814 kompani dhe qytetarë kanë borxh ndaj DAP-it. Drejtoresha Elena Petrova në Daily Click në TV21 tha se ka borxhli me vite të tëra edhe pse në aspekt juridik janë funksionalë, pra, konstatohet se:
“Nuk kanë të punësuar, nuk paraqesin fletëparaqitje tatimore, nuk paguajnë tatime me vite të tëra dhe këtu parashtrohet pyetja për aktivitetin e tyre të biznesit. Duhet të detektojmë jo vetëm nëse janë aktivë në aspekt biznesi, por edhe nëse mund të gjenden dhe nëse kanë prona prej të cilave mund ta arkëtojmë borxhin e tyre”, u shpreh drejtoresha e DAP, Elena Petrova.
Por sipas nëpunësve tatimorë ky nuk është problemi kryesor. Pronarët e dinë se si të luajnë.
“Derisa DAP i kërkon mjetet për ta arkëtuar borxhin, borxhlinjtë zakonisht ndërmarrin masa të kundërta që ta shpronësojnë pronën, ndërmarrjen t’ia transferojnë një themeluesi tjetër që nuk është banor rezident”, shtoi Elena Petrova – drejtoreshë e DAP.
Në 2023 në bazë të të gjitha tatimeve, janë arkëtuar 114,2 miliardë denarë, këtë vit deri në fund të nëntorit janë arkëtuar 120,1 miliardë denarë, përkatësisht ka rritje prej 5%. Deri në fund të vitit kjo përqindje do të rritet për shkak se mungojnë mjetet për muajin dhjetor.