Biblioteka e Tetovës funksionon në kushte të vështira, me vetëm 146 metra katrorë hapësirë dhe tre depo shtesë, ku janë të vendosur rreth 150 mijë libra. Drejtori i bibliotekës Mahi Murtezani tregon për funksionimin e kësaj biblioteke.
“Prej një hapësire 200 metër katrorë kemi kaluar në një hapësirë edhe më të vogël në diku 146 metër katrorë, por detyrimisht jemi përshtatur në këto hapësira që të mos stagnoje puna dhe mos ngecim se më pak janë fajtor lexuesit, ne kemi gjetur zgjidhje dhe funksionojmë. Jemi ngushtë jemi në hapësira mirë të mirëmbajtura por jemi ngushtë. Jemi shpërnda në qendër të kulturës me tre depo ndihmëse dhe jo të gjithë librat janë në këtë hapësirë që japim deklaratë”, tha Mahir Murtezani- drejtor i bibliotekës.
Për shkak të hapësirës së vogël, vetëm 60 mijë libra ndodhen në ambientin kryesor, ndërsa pjesa tjetër ruhet në depot e tjera, duke e vështirësuar qasjen për lexuesit.
“Biblioteka funksionon me 130 mijë deri në 150 mijë libra, jo të gjithë janë të futura këtu. Kemi vetëm gjysmën. Deri në 60 mijë libra kjo hapësirë i ka marr dhe funksionojmë, pjesa tjetër janë hapësira shtesë të qendrës për kulturë, është mundim për punonjësit e bibliotekës se duhet të presin që t’i marrim aty, por ata e kuptojnë hallin që kemi dhe kanë mirëkuptim për vonesat që i bëjmë ne”, shtoi Mahir Murtezani- drejtor i bibliotekës.
Megjithatë, biblioteka ka mbi 5 mijë lexues aktivë, me numrin në rritje.
“Në vitin 2024 kemi pas mbi pesë mijë lexues aktivë, që shërben në bibliotekë dhe biblioteka funksionon me dy sektorë. Sektori për fëmijë dhe sektori për të rritur në 2025 pas festave ky numër ka filluar të ketë një rritje të madhe që ne shpresojmë që të shkoje mbi 6 mijë”, pohoi Mahir Murtezani- drejtor i bibliotekës.
Mungesa e një leximoreje e detyron lexuesit të marrin libra në shtëpi, ndërsa objekti i ri i bibliotekës, i nisur para 11 vitesh, ende nuk është përfunduar.