Pas paralajmërimeve të fundit se mosmiratimi i raportit vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor do të sjellë shkarkimin e gjyqtarëve dhe anëtarëve të këtij organi të zgjedhur nga Kuvendi, por edhe pas paralajmërimeve të kryeministrit Mickoski për shpërbërje, shtrohet pyetja nëse ekziston mundësia ligjore për këtë. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, në një intervistë për Radion Europa e Lirë, nuk pajtohet me këtë paralajmërim dhe mendon se një gjë e tillë nuk është paraparë me Ligjin për Këshillin Gjyqësor.
“I vetmi vend ku parashikohet mënyra ose procedura për shkarkimin e një anëtari të Këshillit Gjyqësor është Ligji për Këshillin Gjyqësor. Nuk kam hasur në ndonjë ligj tjetër që thotë se ekziston një mundësi e tillë – të shkarkohet në ndonjë procedurë tjetër. Pra, shkarkimi bëhet këtu në Këshillin Gjyqësor. Mendoj se nuk është ide e mirë të shkarkohen kolektivisht organet kolektive. Unë kam mbrojtur përgjegjësinë individuale”, tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Me marrjen e detyrës si kryetar i Këshillit Gjyqësor pas Vitit të Ri, Kambovski tha se do të ketë një “pastrim” të gjyqtarëve që kanë bërë gabime në punën e tyre, pas çka opinioni ka pritur se ky mund të jetë gjykatësi Enver Bexheti, i cili së fundmi u gjet në listën e zezë të SHBA-ve. Kambovski tani duket se u zbut në lidhje me paralajmërimet për masa rigoroze, duke pasur parasysh faktin se Bexheti ende mban funksione gjyqësore.
“Nuk është e këndshme. Këshilli Gjyqësor po bën gjithçka në kuadër të mundësive të tij. Procedurat ndaj gjykatësve janë sekrete, siç e parashikon ligji. Kjo nuk është as dëshira ime dhe as e Këshillit Gjyqësor. Përkundrazi, Këshilli Gjyqësor dëshiron t’ju tregojë dhe publikojë emrat e gjykatësve ndaj të cilëve zhvillohen procedura të tilla”, shtoi Kambovski.
Këshilli Gjyqësor është tronditur nga një sërë skandalesh tashmë një periudhë të gjatë, pas çka Misioni Vlerësues i Bashkimit Euopian rekomandoi reforma, përfshirë Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor që do të miratohet deri në qershor të këtij viti.