V’rasja e 31-vjeçarit nga Kukësi – për çka akuzohet “Kobra” dhe të akuzuarit tjerë që dolën sot para Gjykatës

Estimated read time 4 min read

Visart Cengun, 31-vjeçari nga Kukësi i Shqipërisë, kishte mbetë i vrarë në orët e para të mëngjesit të 3 janarit të vitit 2023, pas të shtënave me armë zjarri në dalje të lokalit ‘Kobra City’ në Prizren. Keq atë mëngjes e kishte pësuar edhe miku i tij, 27-vjeçar, Rufgen Shehu, i cili pati mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetë. Armën në atë mëngjes janari dyshohet se e shkrepi pikërisht pronari i lokalit, personazhi i njohur kontrovers, Dibran Hoxhaj, raporton Gazeta Sinjali.

Për këtë arsye, sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë nën përcjelljen e Policisë është sjellë Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, ku është mbajtur seanca fillestare.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar sot të pafajshëm.

Por, për çka akuzohen saktësisht secili nga të dyshuarit?

Sipas aktakuzës, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Cobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Pas zënkës, thuhet se viktima dhe të dëmtuarit, kishin hyrë në veturën “Mercedes”, me qëllim që të largoheshin nga lokali. Por, thuhet se tashmë i akuzuari Dibran Hoxhaj pasi ishte njoftuar për ngjarjen, në ato momente kishte arritur në lokal me veturën “Audi Q7”, pronë e dëshmitarit Enver Amrllahu. “Kobra”, thuhet se kishte hyrë në lokal, kishte marrë pistoletën dhe iu ka afruar veturës së të dëmtuarve.

Sipas aktakuzës, nga motive të ulëta, demonstrimi i forcës së paskrupullt dhe kërcënim për të gjithë ata që e kundërshtojnë në çfarëdo mënyre, ka hapur derën e vozitësit tani të dëmtuarit R.T (Sh) dhe ka shkrepur me armë dhe ka plagosur në kofshë të djathë të dëmtuarin T (Sh).

Ky i fundit, thuhet se kishte rritur shpejtësinë e veturës dhe kishte dalë në rrugë, por që i akuzuari “Kobra”, kishte shtënë me armë edhe katër herë tjera, duke goditur tashmë viktimën V.C në shpinë, pasi i njëjti ishte i ulur në ulëset e pasme të veturës.

Viktima V.C, të cilit plumbi i kishte shkaktuar gjakderdhje të brendshme, nuk kishte arritur t’i përballonte plagët ku edhe kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit.

“Kobra”, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së.

Ai po ashtu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje nga neni 366, par.1 të KPRK-së, pasi thuhet se nga koha e pavërtetuar deri më 3 janar 2023, në lokalin e tij ka mbajtur në posedim një pistoletë gjysmë-automatike, me një karikator me kapacitet 13 fishekë, të cilin edhe e ka përdorur për të kryer veprën penale nga dispozitivi i parë si dhe një pistoletë tjetër me një karikator me 8 fishekë.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like