Rëndohet situata në Gaza – përveç luftës tani goditet edhe nga përmbytjet (VIDEO)

Estimated read time 3 min read

Shirat e dendur dhe erërat e ftohta në Gaza gjatë natës kanë përkeqësuar gjendjen edhe ashtu të rëndë që po përballen familjet e zhvendosura palestineze të detyruara të largohen nga shtëpitë e tyre dhe tani të grumbulluara në tenda të dobëta dhe të përmbytura.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, në një kamp tendash në Rafah, i vendosur në terrenin me rërë të mbushur me mbeturina, njerëzit u panë duke mbajtur kova me rërë për të mbuluar pellgjet brenda ose rreth tendave të tyre.

Dhe Aziza al-Shabrawi u përpoq më kot të nxirrte ujin e shiut nga çadra e familjes së saj, duke treguar dy fëmijët e saj që jetonin në kushte të tilla të pasigurta.

“Djali im është i sëmurë për shkak të të ftohtit të ashpër dhe vajza ime është zbathur. Është sikur të jemi lypës”, tha 38-vjeçarja. “Askush nuk kujdeset dhe askush nuk ndihmon”. Ndërsa Yasmin Mhani tha se u zgjua natën për të gjetur fëmijën e saj shtatë muajsh të lagur.

Familja e saj prej pesë anëtarësh po ndajnë një batanije të vetme pasi shtëpia e tyre u shkatërrua nga një sulm ajror izraelit dhe ata humbën një nga fëmijët, si dhe të gjitha pasuritë e tyre.

Ndërkohë pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan njerëz që ecnin nëpër rrugët e përmbytura.

Madje, shirat e dendur dhe erërat e forta e kanë bërë më të vështirë varrimin e të vdekurve.

Palestinezët në Gaza janë larguar nga jugu me dhjetëra mijëra me çdo mjet të nevojshëm – makinë, kamion, karrocë me kuaj ose në këmbë – duke e kthyer Rafahun në një “oazë” çadrash dhe strehimoresh të improvizuara prej druri dhe mbulesa plastike.

Advertisement

Kombet e Bashkuara thonë se njerëzit u larguan nga jugu për t’u përballur me “rrethanat katastrofike” me turma që prisnin me orë të tëra rreth qendrave të shpërndarjes për furnizime të pakta me ujë, ushqim dhe ndihmë mjekësore, ndërsa të sëmurët janë shtuar, si pasojë i shiut dhe përmbytjeve.

Ndryshe, Rafah, pranë kufirit me Egjiptin, është pjesa më jugore e Rripit të Gazës, ku njerëzit kanë mbërritur në numër në rritje për të kërkuar strehim nga luftimet intensive midis Izraelit dhe Hamasit, që tani janë duke vazhduar si në veri ashtu edhe në jug.

Advertisement
Advertisement

You May Also Like