









Futbolli, e sidomos bota e tifozëve ofron çudira nga më të veçantat, dhe një të tillë e përcjellin edhe tifozët francezë. Eliminimi i skuadrës së Deschamps nga Kampionati Europian, që sipas mediave franceze i dedikohet edhe marrëdhënieve të minuara mes lojtarëve në dhomat e zhveshjes, ka lënduar krenarinë e tifozëve Francezë që ende të shokuar nga ai knock out, kanë vendosur të nisin një peticion që ndeshja me Zvicrën të riluhet.





Disfata ka qenë aq djegëse për ta, sa ka lindur kjo ide, e madje janë mbledhur edhe 270 mijë firma, objektivi është të arrihet të mblidhen 500 mijë firma në mënyrë që ti kërkojnë UEFA-s që të përsëritet penalltia e fundit e gjuajtur nga Mbappe, pasi sipas tifozëve franceze Sommer ka lëvizur më shpejt nga porta.





Natyrisht duke qenë se nuk bëhet fjalë për një propozim zyrtar nga Federata Franceze nuk ka asnjë mundësi që kjo kërkesë të pranohej. Pastaj edhe këmbët e Sommer u kontrolluan nga Var menjëherë pas gabimit të Mbappe, ndaj nuk ka asnjë parregullsi. Kështu që peticioni është thjesht një tjetër tregues se pasioni për futbollin shpesh nuk ka të bëjë me logjikën./Shenja
