Vuçiçi ‘zbutet’ pasi Bideni përmendi bombardimet: Serbia dëshiron paqe – s’do ta prekim askënd

Estimated read time 3 min read

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, në auditoriumin Andrew W. Mellon në Uashington tha se NATO-ja ka parandaluar spastrimin etnik në Kosovë, derisa gjenerali amerikan në pension Wesley Clark ka potencuar se Serbia është “dora e Rusisë në Ballkan”.

Kreu i shtetit serb ka pretenduar se Serbia “është paqësore dhe e përgjegjshme”, derisa ka potencuar se “nuk e lejojmë askënd në botë që të kërcënojë lirinë dhe atdheun e popullit tonë”.

“Presidenti amerikan Biden edhe Wesley Clark, po flasin për Ballkanin dhe atë që ndodhi në vitin 1999. Dua të them se nuk po e prekim askënd, s’do ta prekim askënd, por Serbia nuk është e mundur, dhe nuk do të jetë më pre e askujt, siç ishte në vitin 1999”, tha Vuçiç para gazetarëve.

“Sot Serbia është serioze, e përgjegjshme, dëshiron paqe, por nuk e lejojmë askënd në botë që të kërcënojë lirinë dhe atdheun e popullit tonë”, shtoi.

Lidhur me deklaratat e gjeneralit Clark, Vuçiç theksoi se ky i fundit “la gjurmë të pashlyeshme në Ballkan”.

“Vrasja e njerëzve tanë dhe e fëmijëve tanë, këto janë fakte historike dhe kjo nuk do të ndryshojë”, nënvizoi kreu i shtetit serb.

“Më duket interesant fakti që Clark tha se ne jemi agjentë të Rusisë dhe mesazhi im është që të gjithë ata që e ndjekin Serbinë e dinë që ne nuk jemi peng, por meqë nuk jemi rus, nuk jemi të askujt tjetër”.

Advertisement

Ndryshe, Biden në Uashington ka thënë të martën se “kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për të rivendosur paqen dhe për të ndaluar spastrimin etnik”.

“Kur SHBA-të u sulmuan më 11 shtator [2001], aleatët tanë të NATO-s, qëndruan me ne, duke thirrur nenin e pestë për herë të parë në historinë e NATO-s, duke e trajtuar një sulm ndaj nesh si një sulm ndaj të gjithëve”, shtoi mes tjerash presidenti amerikan.

Ndryshe, më 24 mars 2024 u bënë 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO-ja ndërhynë në një territor pa pasur mandat nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Advertisement
Advertisement

You May Also Like