Vjosa Osmani i bën thirrje diasporës që të vaksinohet, fajëson edhe Zvicrën

Advertisement

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje rreth 200 mijë kosovarëve që gjenden në Zvicër që të vaksinohen kundër COVID-19.
Ajo po ashtu ka kritikuar autoritetet e Zvicrës, duke e thënë se një pjesë të fajit e kanë ato që nuk janë vaksinuar qytetarët, raporton gazeta “Blick”.
“Vaksinimi nuk shpëton vetëm jetë, por na ndihmon në luftën kundër këtij virusi vrasës. E mbron edhe ekonominë. Kjo na duhet ne, për t’u rimëkëmbur shoqëritë tona. I bëjë thirrje bashkëkombasve të mi kosovarë këtu në Zvicër, por edhe në Kosovë: ‘Ju lutem të gjithë vaksinohuni!’ Është opsioni i vetëm për të kaluar këtë pandemi”, ka thënë Osmani për gazetën zvicerane Blick.

Ajo në Zvicër gjendet në kuadër të Forumit Ekonomik të Zvicrës.

Në pyetjen nëse po ndjehet fajtore, që personat e rikthyer nga Kosova kanë sjellë virusin me vete në Zvicër, Osmani ka reaguar, duke thënë se një pjesë të fajit që ata nuk janë vaksinuar është i Zvicrës.
“Ju po flisni për emigrantët kosovarë në Zvicër. Janë shtetas të vendit tuaj, ata duhej të ishin vaksinuar në Zvicër. Është detyrë e autoriteteve zvicerane, që edhe personat me rrënjë nga vende tjera të bindin për t’u vaksinuar. Të gjithë këta persona është dashur të vaksinohen në Zvicër, para se të udhëtonin në Kosovë. Ne deri në gusht kishim një nivel të ulët të infeksionit, vetëm kur erdhën vizitorët nga Zvicra dhe shtetet tjera u rrit niveli i infeksionit”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova nuk është vendi i vetëm që kishte hequr masat këtë verë.

“Ne nuk ishim vendim i vetëm që zbutëm masat, këtë e bënë shumë shtete tjera në rajon dhe në gjithë Evropën. Pasi numri i të infektuarve ishte shumë i ulët dhe kishte nisur të rritej numri i të vaksinuarve. Por në vend se të fajësojmë njëri-tjetrin, tash ka rëndësi vetëm një mesazh: vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën!” – ka thënë Osmani.

Burimi: https://www.koha.net/arberi/286665/osmani-i-ben-thirrje-diaspores-qe-te-vaksinohet-fajeson-edhe-zvicren/

Advertisement

Read Previous

Rama shpall qeverinë e re, këta janë ministrat e ri

Read Next

ASh: BDI-ja gënjen se shkolla në Reçicë ka përfunduar

%d bloggers like this: