Vdekja e 5 shqiptarëve në Gjermani, ja si u shemb skela e ndërtimit!

Mediat gjermane bëjnë me dije se autoritetet kanë nisur hetimin për ngjarjen e rëndë në Hamburg, ku humbën jetën 5 shqiptarë si pasojë e shembjes së skelës. Aksidenti ndodhi rreth orës 09:10 në kantierin e ndërtimit të Überseequartier, ku skela në katin e tetë me punëtorë ndërtimi u shemb në një bosht ashensori të brendshëm.

“Inspektorati ynë shtetëror i ndërtimit ndodhet në vendngjarje për të nisur hetimet mbi shkakun e aksidentit”, njoftojnë autoritetet gjermane.

Çfarë ndodhi?

Hetimet paraprake bëjnë me dije se skela ra në një bosht ashensori mëngjesin e së hënës. Sipas zjarrfikësve, katër punëtorë kanë humbur jetën dhe një është plagosur rëndë. Por ende nuk janë zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa zjarrfikësit bëjnë me dije se edhe materialet e ndërtimit gjatë shembjes së skelës rranë mbi trupin e punëtorëve.

Sipas zjarrfikësve, skelat kanë rënë nga kati i tetë në bodrum dhe copa mbeturinash kanë dalë në katin e dytë. Rreth 1,400 punëtorë punonin rregullisht në kantierin e ndërtimit, por të hënën ishin vetëm 700. Pas aksidentit, ndërtesa u mbyll dhe të gjithë që punonjësit u detyruan të largoheshin nga zona. Überseequartier është pjesë e Hafencity, e cila konsiderohet si projekti më i madh i zhvillimit urban në Evropë. Një qendër e madhe tregtare me shumë dyqane, restorante, zyra, hotele dhe më shumë se 1000 apartamente po ndërtohet në zonë.

Ka pasur disa aksidente të rënda në kantieret e ndërtimit të Hafencity. Vetëm më 2 shtator, katër punëtorë u plagosën, disa prej tyre në rrezik për jetën./M.K-dritare.net