Tre ministrat e jashtëm të rajonit, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, ai i Shqipërisë, Gent Cakaj dhe ministri i Jashtëm shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u zotuan për rritje të bashkëpunimit me rastin e shënimit të 28 nëntorit, ditës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
“Në ditën e shënuar të festës kombëtare të shqiptarëve dhe 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ky takim virtual është simbol i forcimit të rolit të vendeve dhe popullit tonë në rajon. U diskutua për thellim të marrëdhënieve dhe projekteve të përbashkëta midis të tre shteteve, si pararojë e vërtetë e integrimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë”, thuhet në njoftim.
Të tre kryediplomatët thuhet se janë pajtuar që muajt në vijim të organizojnë një takim të përbashkët në Prishtinë./Alsat