
Shkup, 29 nëntor – Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetar i komunës së Gostivarit, Arben Taravari konsideron se nëse Alternativa pranon të hyjë në përbërjen e re të Qeverisë, kjo nuk do të zgjasë.
Taravari pas takimit me ambasadorin e OSBE-së, Klemens Koja është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për zhvillimet aktuale në vend. I pyetur për pritjet nga takimi i paralajmëruar ndërmjet Afrim Gashit dhe Zoran Zaevit, ai komentoi se do ta respektojnë vendimin e Alternativës, duke përmenduar se në zgjedhjet paraprake si koalicion kanë fituar 82 mijë vota “pro”, kundër politikës së BDI-së.
“Para një viti e gjysmë dolëm me zotëri Gashin në zgjedhjet parlamentare dhe fituam vota nga qytetarët kundër politikës së BDI-së. Marrëveshja ishte nënshkruar për katër vite dhe gjithsesi nuk duhet t’i përmbahen asaj. Si do të vendosin, ashtu. Ne do ta respektojmë vendimin e tyre. Nëse hyjnë në Qeveri, ajo qeveri nuk do të jetë e qëndrueshme, sepse ka jostabilitet në LSDM. Atje qeverisin ndarjet dhe ka shumë premtime të paplotësuara ndaj partnerëve të koalicionit. Konsideroj, se viti i ardhshëm 2022 do të jetë vit zgjedhor”, tha Taravari.
Sipas tij, vendi më 14 dhjetor nuk do të marrë datë për fillm të negociatave për inkuadrim në BE, sepse, informatat që i marrin nga Brukseli është se datë do të marrim në vitin 2023.
Për veprimin e partisë “Aleanca për Shqiptarët” ai përmendi se do të mbetet në opozitë dhe tashmë i bëjnë përgatitjet për Kongresin që e planifikojnë në pranverë. Në atë kongres prioritet do të jetë riorganizimi i dhe riemërtimi i partisë me të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme