OBSH e shqetësuar: Një sëmundje e re po përhapet në vendin nga erdhi koronavirusi, spitalet në Kinë janë plot
OBSH ka shprehur shqetësimin për rritjen e numrit të njerëzve që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes në Kinë dhe i bëri thirrje popullatës që të “marrin masa mbrojtëse”.
“OBSH i ka dërguar një kërkesë zyrtare Kinës për informacion të detajuar mbi rritjen e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe shpërthimeve të pneumonisë tek fëmijët”, tha organizata në një deklaratë të postuar në rrjetin social X.
OBSH rekomandon marrjen e hapave për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes.
Mediat e pavarura kineze raportuan se spitalet e fëmijëve në disa pjesë të vendit thuhet se ishin të mbushura me fëmijë të sëmurë. Autoritetet kineze i kanë atribuar një rritje të mprehtë të sëmundjeve të ngjashme me gripin heqjes së masave kundër koronavirusit, raportoi BBC.
Në Kinën veriore, ka pasur një rritje të rasteve me simptoma të ngjashme me gripin që nga tetori në krahasim me të njëjtën periudhë në tre vitet e fundit.
Zyrtarët kinezë thanë javën e kaluar se ka pasur një rritje të sëmundjeve të frymëmarrjes në të gjithë vendin – veçanërisht gripi, koronavirusi, pneumonia e mykoplazmës, një infeksion i zakonshëm bakterial që prek fëmijët e vegjël dhe virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV).
Mediat na kujtojnë se koronavirusi që shkaktoi një pandemi globale, të paktën zyrtarisht, erdhi nga Kina, pra nga tregu në Wuhan. Pavarësisht pretendimeve zyrtare se Covid-19 u shkaktua nga një shpërthim infeksioni në atë treg, ka edhe argumente të shumta se virusi “doli” nga laboratori atje.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga OBSH, Kina nuk ka dhënë kurrë një raport të plotë mbi origjinën e koronavirusit, i cili ka marrë mijëra jetë gjatë pandemisë.
