• 18-04-2021

S’ka nisma për luftën kundër korrupsionit

Tre muaj pas fillimit të mandatit të ekzekutivit, opinioni nuk është njoftuar akoma me rezultatet e analizës për të cilën u tha se do të gjente dobësitë e sistemit në luftën kundër korrupsionit dhe në punën e institucioneve. I pyetur nëse tashmë dihet se cilat do të jenë ndryshimet ligjore nga ku do të fillojë lufta kundër korrupsionit si dhe cilat institucione ose organe “të panevojshme” do të shfuqizohen, zv/kryeministri Lupço Nikollovski, përsëri bëri thirrje për durim.

I kemi detektuar të gjitha dobësitë dhe tani me plan veprimi do të hymë në realizim dhe mënjanimin e të gjitha dobësive që të ketë rend dhe disiplinë në institucionet e sistemit. Pikërisht në këtë jemi fokusuar dhe tashmë janë ndërmarrë shumë hapa, ndryshime dekretesh, ndryshime rregulloresh që tashmë janë miratuar në Qeveri. Tashmë është futur klauzola antikorruptive në procedurën për furnizime publike dhe shumë hapa të tjera tashmë janë bërë. Por, na lejoni, vinë 100 ditët e Qeverisë dhe me kënaqësi do të prezantojmë se çfarë kemi gjetur dhe çfarë kemi bërë ne – u shpreh Lupço Nikollovski, zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit.

Zv/kryeministri Nikollovski nuk ka ministri por kabinet i cili u premtua se do të koordinojë reformat në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe resurseve njerëzore. Premtimi i parë i tij dhe i kryeministrit Zoran Zaev për emërime transparente dhe konkurs publik, u shkel.

Po do të fillohet prej diku. Për drejtorët e parë do të ketë konkurse, do të ketë shpallje publike, për funksionarë të ndryshëm, për lloje të ndryshme anëtarësimi. Do të duhet të dorëzojnë CV, letër motivimi dhe plan për punë dhe ky është një ndryshim i madh. Ndryshim që ndoshta për një pjesë të madhe të tyre nuk është as detyrim ligjor. Prandaj flas për vlera, standard dhe praktika të reja që kemi vullnet t’i vendosim – tha Lupço Nikollovski, zv/kryeministër për luftë kundër korrupsionit.

Dhjetëra emërime nga Qeveria u bënë vetëm me vendime politike, pa konkurs dhe pa procedurë transparente. Pjesa më e madhe e personave të emëruar janë figura politike të cilat kanë mbajtur pozita të rëndësishme për disa mandate me radhë.

Nikollovski premtoi edhe shfuqizimin e institucioneve të cilat nuk kanë kompetenca të qarta, organeve të dyzuara dhe të panevojshme. Po ashtu u premtua shkurtimi i përfitimeve të funksionarëve dhe racionalizimi i shpenzimeve nga drejtuesit e institucioneve. Edhe në këtë plan, deri tani nuk ka asnjë nismë konkrete./Alsat

Read Previous

Ushqimet që ua përmirësojnë kujtesën

Read Next

URIME SHQIPTARE: DITEN E PAVARESISE DHE TE FLAMURIT

%d bloggers like this: