Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për krime të luftës në Kosovë, Millorad Gjokoviq

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për krime të luftës në Kosovë, Millorad Gjokoviq

Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Millorad Gjokoviq, avokatit Vasilije Arsiq, është shtyrë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Gjokoviq po akuzohet për krime lufte.

Avokati Arsiq kërkoi që seanca të shtyhet me arsyetimin se nuk i kanë në posedim disa shkresa të lëndës të përkthyera.

Ai kërkoi nga trupi gjykues që të aprovohet kërkesa e tij për përkthimin e shkresave të kërkuara; procesverbali i dëshmisë së dëshmitarit Ferat Morina, procesverbali i dëshmisë së dëshmitarit Halit Gashi dhe deklarata e dhënë në Stacionin Policor në Vitomiricë dhe përkthimi i ditarit- pjesën e ngjarjes së fshatit Ozdrim, shkruan Betimi për Drejtësi.

Këtë kërkesë, kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj e aprovoi. Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.